Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia do të prodhojë armë të reja dhe do t’i drejtojë ato kundër qendrave perëndimore të vendimmarrjes në rast se Perëndimi vendos raketa të reja me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi në Evropë.
Kërcënimi, i cili besohet se i është drejtuar Uashingtonit dhe kryeqyteteve tjera të shteteve perëndimore, erdhi pasi Shtetet e Bashkuara dhe më pas edhe Rusia u tërhoqën nga marrëveshja për armët bërthamore. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në vitin 1987.
Gjatë një fjalimi para zyrtarëve të lartë rusë në Moskë, Putini tha se vendosja e mundshme e raketave që mund të arrijnë në Moskë për dhjetë minuta është veprim i rrezikshëm për Rusinë dhe se Moska do të jetë e detyruar që t’i shqyrtojë masat e njëjta dhe të ndryshme nga ky plan.
“Rusia do të jetë e detyruar të prodhojë armë, të cilat mund të përdoren kundër territoreve që sjellin kërcënim dhe kundër qendrave të vendimmarrjes, ku vendoset për përdorim të këtyre sistemeve raketash”, tha presidenti rus.
Sipas traktatit të nënshkruar në vitin 1987 nga presidentët e atëherëshëm, Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev, shteteve u ndalohej zhvillimi dhe vendosja e raketave me bazë tokësore dhe me rreze prej 500 deri 5500 kilometra, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.