Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se nuk ka asnjë motiv të fshehur pas vendimit të tij për të mos uruar presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden për fitoren e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke insistuar se Kremlini po pret “fundin e ngërçit të brendshëm politik”.
Këto komente Putini i bëri gjatë një interviste për televizionin shtetëror më 22 nëntor. Kremlini edhe më herët është pyetur se pse Putini nuk e ka uruar për fitoren Bidenin, ashtu siç kanë bërë shumë liderë evropianë dhe botërorë.
Në zgjedhjet e kaluara amerikane, Putini ishte në mesin e liderëve të parë që uroi për fitoren Donald Trumpin, duke lëshuar një deklaratë më pak se 12 orë pasi kundërkandidatja e Trumpit, Hillary Clinton, pranoi humbjen më 9 nëntor, 2016.
Biden jozyrtarisht është shpallur fitues i zgjedhjeve bazuar në numrin e votave popullore që ka fituar dhe të votave elektorale.
Kolegji Zgjedhor do të mblidhet më 14 dhjetor dhe formalisht do ta shpallë fituesin e zgjedhjeve, ashtu edhe siç përcaktohet në Kushtetutën amerikane. Inaugurimi i presidentit të ri amerikan pritet të mbahet më 21 janar.
Gjatë intervistës, Putin sugjeroi se është e papërshtatshme që ta urojë Bidenin për fitoren.
“Dua të ju siguroj: nuk ka motiv të fshehtë: se ne na pëlqen apo nuk na pëlqen dikush. Ne vetëm po presim fundin e ngërçit të brendshëm politik”, citohet të ketë thënë presidenti rus.
Putini duke folur për vendimin për të mos e uruar Bidenin, ka thënë se kjo nuk do t’i ndryshojë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin po ashtu ka thënë se sistemi zgjedhor amerikan ka të meta, duke thënë Uashingtoni nuk ka të drejtë që të gjykojë shtetet tjera që kanë probleme gjatë proceseve zgjedhore.
Vëzhguesit zgjedhor nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që kanë monitoruar zgjedhjet në SHBA, kanë thënë se zgjedhjet kanë qenë “garuese dhe të menaxhuara mirë”.
Por, vëzhguesit kanë kritikuar për ato që i quajtën “akuza të pabaza për mangësi sistematike, veçanërisht nga presidenti aktual, përfshirë edhe gjatë natës së zgjedhjeve, të cilat dëmtojnë besimin e publikut në institucionet demokratike”./ rel