Të gjithë njerëzit, kushdo-qofshin ata, kanë pyetje për seksin. Pavarësisht nëse janë të rinj apo të madhuar, të martuar apo beqarë, të kënaqur apo të pakënaqur seksualisht, seksi është një ndër varësitë e paevitueshme të njeriut, ndonëse interesi i hapur për të vazhdon të konsiderohet ende tabu edhe në shoqëri shumë më të emancipuara se jona.
Temat seksuale, duke përfshirë edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, mund të jenë çështje shumë personale dhe të ndjeshme. Megjithëse këto janë pyetje të rëndësishme të sigurisë dhe shëndetit që ndikojnë në jetën e gjithkujt, njerëzit shpesh ndihen shumë të sikletosur dhe të kompleksuar për t’i diskutuar ato haptazi. Për disa, vendi i vetëm ku mund të ndihen rehat janë portalet online.
Shumë femra (por edhe meshkuj) kërkojnë në internet për përgjigje dhe falë platformave të tilla digjitale si Reddit apo Yahoo Answers, pyetjet më të zakonshme (dhe personale) të njerëzve janë tashmë në sytë e gjithë botës. I vetmi problem i kërkimit të përgjigjeve në internet, është paqartësia dhe pasiguria e burimeve të cilave po iu referoheni, duke rritur kështu rrezikun e keqinformimit.
Fractl, një agjenci marketingu, së fundmi ka bërë një vëzhgim të të gjitha pyetjeve që njerëzit kanë postuar në Yahoo Answers lidhur me seksin, me qëllim që të përcaktonte pyetjet që bëhen më shpesh. Ja cilat janë ato, së bashku me përgjigjet e duhura nga ekspertët e shëndetit:
A mund të mbesësh shtatzënë gjatë periodave?
Kjo është pyetja më popullore në Yahoo Answers, me së paku 50.000 kërkime në muaj. Dhe përgjigjja e ekspertëve është “PO”. Mos i neglizhoni metodat kontraceptive ose të mbrojtjes natyrale thjesht sepse jeni në atë periudhë të muajit. “Mund të ngelesh shtatzënë gjatë menstruacioneve nëse kryen seks të pambrojtur”, thotë dr. Raegan McDonald-Mosley, M.D., shef i Federatës Amerikane për Prindërim të Planifikuar. Ai saktëson që ka më shumë gjasa që diçka e tillë t’u ndodhë femrave që kanë cikël menstrual të shkurtër ose të çrregullt, prandaj nëse i përkisni kësaj kategorie, më mirë të mos rrezikoni.
A mund të ngelësh shtatzënë nga lëngu para spermës?
Kjo është pyetja e dytë më e shpeshtë e bërë në portalin e Yahoo Answers. Përgjigjja profesionale edhe në këtë rast është një “PO” e fortë.
“Sistemi riprodhues i disa meshkujve mund të lëshojë sasi të vogla sperme edhe në të ashtuquajturin “lëng të prostatës” që sekretohet nga meshkujt në fillim të ejakulacionit, shpjegon Dr. McDonald-Mosley, duke shtuar që “nuk ekziston asnjë mënyrë e sigurt që një mashkull ta dijë nëse ka apo jo spermë në lëngun fluid që derdhet gjatë fazës së eksitimit, prandaj është më mirë të mos rrezikosh dhe të përdorësh metoda të sigurta të kontrollit të lindjes”.
A mund të infektohesh me herpes nëpërmjet puthjeve?
Një tjetër “PO”. Me herpes mund të infektohesh lehtësisht nëpërmjet prekjeve, puthjeve dhe kontakteve seksuale, qofshin ato vaginale, anale ose orale, thotë Dr. McDonald-Mosley. “Kontakti i shkurtër lëkurë me lëkurë mjafton për ta transmetuar virusin edhe kur nuk ka asnjë shenjë apo pezmatim të dukshëm të lëkurës dhe lëkura ngjan krejtësisht normale.
Më të shumtën e herëve, herpesi transmetohet prej dikujt pa shenja të dukshme të infeksionit në lëkurë.
Për këtë arsye shumica e studimeve dhe kërkimeve shkencore kanë treguar se 90% e njerëzve në moshë madhore do të infektohen një herë gjatë jetës me herpes të thjeshtë (herpes simplex – HSV tip I).
Shumë të tjerë do të infektohen me herpes gjenital (HSV tip II). Për këtë arsye duhet të pyesni ndershmërisht partnerin ose të tregoheni të ndershëm me të përsa i përket historikut tuaj mjekësor të formave të ndryshme të herpesit, me qëllim që të shmangni një infeksion të panevojshëm, megjithëse të kurueshëm me mjekimet e përshtatshme.
Pse nuk arrij në orgazëm?
Nëse jeni nga ata njerëz që e pyesni veten për këtë, ngushëllohuni: nuk jeni vetëm. Këtë pyetje e bëjnë online 24000 persona në muaj. Megjithëse ky problem mund të ketë rrënjë mjekësore ose të lidhura me trauma të mundshme psikologjike, zgjidhja e problemit gjendet shpeshherë tek veshët e mbyllur, shpjegon Cathy Beaton, MS, terapiste seksi në Nju Jork.
“Shumica e njerëzve në praktikën time private që nuk arrijnë orgazmë, nuk e mbushin veten me mendime pozitive për seksin për të mbështetur procesin e libidos përmes zgjimit të kënaqësisë seksuale, që sjell për pasojë edhe orgazmën.
Është e zakonshme të fillohet me mendime seksi, por shpesh ato humbasin rrugës për shkak të frustrimit, mërzitjes, ankthit dhe imazheve negative.
“Për të ndihmuar veten ta kalosh këtë vijë kufiri të kënaqësisë, bëni kujdes ndaj çdo ideje joseksuale që i shpëton vetëdijes suaj dhe saboton gjithë përpjekjet tuaja.
Fokusohuni në kënaqësinë tuaj”, rekomandon Beaton. “Nëse pyesni veten ç’po mendon partneri juaj për ju, si i dukeni atij, a ngjani joshëse apo sa kohë do t’ju duhet kësaj here për të arritur në orgazëm, rrezikoni ta humbni shkëndijën seksuale të kënaqësisë”.
Dhe, më e rëndësishmja, shprehet ekspertja: “Flisni për nevojat dhe dëshirat tuaja seksuale. Jini autentikë dhe mos e vrisni mendjen për paragjykimet. Pranimi i vetes dhe vetëbesimi e bëjnë një njeri të duket shumë joshës/e. Në rast se partneri ju gjykon?
Hiqni dorë prej tij! Një partner që nuk ndihmon tjetrin të kënaqet, nuk di në thelb asgjë për kënaqësinë”.