PZAP anulon zgjedhjet në Han të Elezit

Prishtinë | 21 Tet 2021 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Me vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), janë anuluar zgjedhjet në komunën e Hanit të Elezit, ku për rrjedhojë do të ketë rivotim.

PZAP-ja e ka pranuar si të bazuar ankesën e kryetarit të kësaj komune, Rufki Suma, i cili ka thënë se simpatizantët e PDK-së kanë bërë presion mbi qytetarët e Hanit të Elezit që të votojnë këtë subjekt politik.

“Më datë 18.10.2021, PZAP-i, ka pranuar ankesë nga kandidati i pavarur Rufki Suma, i cili pretendon se gjatë netëve të fundit të zgjedhjeve lokale në Komunë e Hanit të Elezit simpatizantët e PDK-së, kanë bërë presion mbi qytetarët ku çdo qytetarë e kanë përcjellë me veturë dhe i kanë bërë ultimatum që të mos futen nëpër shtëpi, pra po ashtu dyshojmë se janë shpërndarë mjete për blerje të votave. Parashtruesi i ankesës thekson se e kanë lajmëruar Policinë e Kosovës por të njëjtit nuk kanë dalë për t’i shpërndarë turmën e njerëzve”, thuhet në njoftim.

Kjo komunë ka gjithësej 11 vendvotime.

Sipas rezulateteve të së dielës, pas numërimit të 100% të votave, Mehmet Balazhi i PDK-së doli fitues me 50.98% të votave të përgjithshme.

I dyti doli kandidati i pavarur, Rufki Suma me 42.47% të votave.



Të ngjashme