PZAP-ja anulon votat me postë në Dragash

Prishtinë | 19 Nën 2021 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.

PZAP-i ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që fletëvotimet e anuluara të mos i përfshijë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të mbajtura më 14 nëntor.

Kandidati i PDK-së për Dragashin, Shaban Shabani, ka bërë ankesë më 17 nëntor në PZAP se në rundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulim të zgjedhjeve të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.

Sipas ankesës së Shabanit, ai pretendon se pjesa më e madhe e zarfeve me fletëvotime të supozuara që kanë ardhur nga Austria, Zvicra dhe Gjermania janë të organizuara nga më së shumti tre persona, të shkruara me dorën e njëjtë. Poashtu ai pretendon se të njëjtat janë dërguar me postë nga një person, brenda disa minutash.

Sipas rezultateve preliminare të së dielës nga KQZ-ja, në Dragash udhëhiqte Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini. Por pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset dhe kësisoj, PDK-ja dhe LDK-ja kanë numër të barabartë të komunave të fituara, nga 8 sosh.

Të ngjashme