Kërkesa për sjellje të dokumentacionit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, u bë shkak i përplasjes ndërmjet anëtarëve Komisionit Parlamentar në lidhje me keqpërdorimet e mundshme me rezervat shtetërore. Akuza pat edhe për ndërhyrje në punët e këtij dikasteri nga ana e deputetëve të VV-së, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, kryetari i komisionit nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, akuzoi deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, për ndërhyrje në punët e ministrisë së Industrisë. Ai tha se përmes një email-i, deputeti Thaçi i ka thënë Ministrisë se nuk është e obliguar që të sjellë dokumentacionin e nevojshëm.
“Ne në takimin që kemi mbajtur të hënën e kaluar jemi dakorduar që të gjithë deputetët e grupeve parlamentare që e përfaqësojnë këtë komision të dorëzojnë kërkesat për sjellje të dokumentacionit deri ditën e martë. Përveç kërkesës që e kemi sjellë ne nga PDK, nuk kemi pasur ndonjë kërkesë tjetër. Mirëpo pastaj ministrisë i është dërguar një email nga deputeti Halil Thaçi. Në email thuhet se këto kërkesa nuk janë të komisionit por të deputetit Rashit Qalaj dhe se ministria nuk ka obligim të përgjigjet. Kjo është ndërhyrje në punët e ministrisë. E konsideroj si sinjal t’i thuhet ministrisë mos e lexo dokumentin”, shtoi ai.
Ndaj deputetit Qalaj replikoi ai i LVV-së, Halil Thaçi.
“Vetë e bëre pyetjen dhe vetë përgjigjen kur thatë se i kemi marrë dy vendime të ndryshme në mbledhjen e fundit. Ne i kemi dërguar shkresë prokurorit nëse hetimi që po e bëjmë do ta pengon punën e tij. Në të njëjtën kohë keni kërkuar dokumentacion nga ministria. Është e papranueshme të procedojmë me kërkesa për dokumentacion pa pasur përgjigjen e prokurorit të shtetit. Andaj, ne, kemi kërkuar sqarim nga prokurori, i cili nuk ardhur ende”, theksoi ai.
Nga mazhoranca thanë se duhet të pritet vendimi i prokurorit e pastaj të kërkohet dokumentacion nga Ministria.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj,
“Ky komision hetimor ka qëllimet e veta për të zbardhur të vërtetën, vet emri na qon me kërkua te çdo dokument që është valid. Unë sa e pash gjithë kërkesa që është bërë është fol në media dhe dihet që cilët janë akterët akuzues të mundshëm. Po humbin kohë kot derisa s’po kemi kërkesa nga ana juaj për një dokument por ju kisha lutur që etiketimet mos t’ia bëjmë njeri-tjetrit, nuk jemi as drejtor i policisë, as SHIK, por të barabartë komplet këtu, ta ruajmë kolegjialitetin dhe te vijmë tek e vërteta”, u shpreh Lekaj.
Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se partia në pushtet e ka mbrojtur ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili akuzohet për shpëlarje parash.
“Krejt pyetjet që janë dergu janë në favor të zbardhjes të së vërtetës, Martin Berishajn, partia juaj e ka mbrojt e po më shitni moral mua. S’jam interesuar me të dëgju ty duke më dhënë moral, leni fjalët për moral por bëni punë konkrete e hajde bashkërisht ta zbardhim të vërtetën por me punë e jo me fjalë”, tha ajo.
Ndërkaq, Driton Hyseni tha se pyetjet dhe logjika e qasjes në dokumentet që posedon Prokuroria kane tendencë dhe nuk janë ashtu siç u dakorduan mbledhjen e kaluar.
Ai tha se kryetari i komisionit, Rashit Qalaj, po e luan policin duke kërkuar emra të përveçëm dhe ka hartuar listën e dokumenteve për të cilen foli komisioni.
“Me gjithë respektin për mandatin tuaj si ish-drejtor i Policisë së Kosovës, zotëri Qalaj, më duhet t’iu them se ju nuk po zhvesheni dot nga petku i policit” tha Hyseni.
Pretendimeve të Hysenit, Qalaj iu përgjigj me kërkesën për të lexuar edhe një herë procesverbalin e mbledhjes së kaluar dhe se të gjitha pyetjet e parashtruara në kërkesën që iu dërgua Prokurorisë, janë të shkruara në proces verbal.