Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se aksioni i djeshëm i Policisë së Kosovës i zhvilluar në Ferizaj dhe në veri të vendit, ka qenë i suksesshëm dhe se e njëjta në vazhdimësi është duke punuar në luftimin e krimit të organizuar në vend dhe aktiviteteve të tjera, raporton Ekonomia Online.
Qalaj, i cili është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë për Ekonomia Online, se Policia e Kosovës me aksione të tilla duhet të operoj në të gjithë territorin e vendit.
“Unë mendoj që është aksion i duhur. Realisht Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke punuar në luftimin e krimit të organizuar në vend dhe aktiviteteve të tjera. Mendoj që edhe operacioni që ka ndodhur dje në pjesë të veriut të Kosovës e po ashtu edhe në Ferizaj ka qenë një operacion shumë i suksesshëm. Duhet vazhduar sa më shumë për shkak se Policia e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme i kryen shërbimet në vend vetëm me operacione të tilla dhe me suksese të tilla. Policia e Kosovës e mbulon tërë Kosovën dhe duhet të veproj në tërë Kosovën”, tha Qalaj.
Qalaj thekson se shifrat të cilat rezultuan nga aksionet e djeshme janë për tu brengosur, e që kjo e dëshmon se Kosova është pjesë e trafikut të narkotikëve e që persona të caktuar e përdorin Kosovën si vend trazit.
“Po është brengosë se për shkak se kjo shifër dëshmon që Kosova është pjesë, më vjen keq ta them po e trafikut të narkotikëve të cilat kriminelët, personat e dyshuar e përdorin Kosovën si vend transit. Mendoj se ne të gjithë si shoqëri po ashtu edhe Policia e Kosovës duhet t’i rrisim kapacitetet në vazhdimësi që sa më pak të ketë prezencë të narkotikëve në vend. Në anën tjetër tregon një përkushtim të Policisë së Kosovës në luftimin e krimit të organizuar”, tha Qalaj.
Tutje Qalaj thotë se PK ka bashkëpunim të mirë edhe me policitë rajonale e se vetëm në këtë mënyrë mund të ketë suksese.
“Asnjë polici në botë nuk mund ti luftoj këtë dukuri meqenëse zakonisht narkotikët, kur të flasim për luftimin e narkotikëve duhet të flasim patjetër edhe në bashkëpunimin ndër policorë që mund të bëhet qoftë rajonal apo edhe më gjerë. Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë, ka partnerët e saj strategjik dhe po ashtu ka një bashkëpunim të mirë me shumicën e Policive në rajon dhe besoj që vetëm duke bashkëpunuar policitë mund të ketë sukses. Mos të harrojmë që krimi i organizuar nuk ndodh vetëm në një shoqëri mirëpo ndodh zakonisht në shumë shtete të cilat janë viktimë e kriminelëve të ndryshëm”.
Policia e Kosovës dje ka zhvilluar dy aksione në lokacione të ndryshme, bastisje e kontrolle në disa lokacione në Ferizaj si dhe në veri të vendit, Izvor, ku vlera e drogës së konfiskuar ka rezultuar në vlerë 6 milionë euro ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro.