Qalaj po merr pjesë në konferencën e Asociacionit Ndërkombëtar të Shefave të Policisë

Prishtinë | 09 Tet 2018 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, është duke qëndruar në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një vizitë zyrtare, ku po merr pjesë në konferencën e 125-të IACP-së (International Association of Chiefs of Police – Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë).

Në këtë konferencë, ku pjesëmarrës janë një numër i madh i nivelit të lartë të shefave të Policisë nga vende të ndryshme të botës, me një fjalë rasti të pranishmëve iu është drejtuar Presidenti i SHBA-ve,  Donald Trump, i cili ndër të tjera potencoi nevojën e bashkëpunimit global dhe mbështetjen e shteteve në misionin e përbashkët për një botë më të qetë dhe më të sigurt.

Kjo konferencë e karakterit ndërkombëtar mundëson shkëmbimin e përvojave policore, trajtimin e problemeve dhe fenomeneve nga fusha e rendit dhe sigurisë, si dhe njohjen me teknologjitë më të reja të cilat aplikohen në fushën e sigurisë.

Drejtori Qalaj përveç tjerash rëndësi primare i kushtoi çështjes së bashkëpunimit policor ndërkombëtar, me theks të veçantë anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Për këtë qëllim janë mbajtur dhjetëra takime me përfaqësues të shteteve nga mbarë bota, përderisa mori pjesë në sesione të ndryshme që ndërlidheshin me temat më të rëndësishme, si: reforma policore përmes menaxhimit të të dhënave,
integrimi i një kornize etike në kulturën e organizatave policore, marrëdhëniet me media në shekullin 21, shefat ekzekutivë të policisë sot, shefat femra të policisë ripërcaktojnë lidershipin si kurrë më parë etj.

Po ashtu në këtë konferencë fokus i veçantë i është dhënë luftës kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, krimit të organizuar transnacional si dhe llojeve të tjera të krimit.

Me këtë rast drejtori QALAJ gjithashtu ka shfrytëzuar rastin për të marrë pjesë në ekspozitën e pajisjeve të ndryshme policore, me qëllim të avancimit të pajisjes së PK-së me pajisje moderne teknologjike, në përputhje me zhvillimet globale.

Kjo konferencë e karakterit policor është një nga konferencat më të mëdha të mbajtura çdo vit në SHBA, ku Policia e Kosovës është mbështetur dhe është përkrahur nga ICITAP-i amerikan për të qenë pjesëmarrëse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme