Qasja e Trumpit ndaj BE-së vështirëson arritjen e marrëveshjes

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Qasja e administratës aktuale amerikane në raport me Bashkimin Evropian, e cila, sipas njohësve, është vlerësuar të jetë shpërfillëse, nuk mund të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Problematike po shihen edhe qëndrimet kontradiktore mes BE-së dhe ShBA-së sa i përket asaj se kush duhet t’i prijë dialogut në emër të Kosovës.

Derisa Brukseli nëpërmjet shefit për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell, dhe emisarit për dialog, Miroslav Lajçak, rolin kryesor udhëheqës ia njeh kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për Shtëpinë e Bardhë deri më tani adresa kryesore ka qenë presidenti Hashim Thaçi, shkruan koha.

Qasjen refuzuese të ShBA-së ndaj Kurtit e kanë proklamuar edhe eksponentë të Lidhjes Demokratike, të cilët e kanë arsyetuar rrëzimin e Qeverisë me mocion votëbesimi për shkak të acarimit të raporteve me ShBA-në.

Një ditë pas deklaratave të Kurtit se emisari i Trumpit ka qenë i përfshirë në “puçin” për rrëzimin e qeverisë që drejton, gazeta ka pyetur në zyrën e Grenellit përkitazi me akuzat dhe preferencat që kanë ata sa i përket kryeudhëheqësit të dialogut në emër të Kosovës.

Zëdhënësi i ambasadorit, Dick Custin, ka thënë të martën se për momentin vetëm mund të sugjerojnë që t’i referohemi qëndrimit të fundit të Grenellit, i nxitur pas intervistës së Kurtit me disa gazetarë ndërkombëtarë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme