Qehaja: Reagimet kundër sindikalistëve do ta thellojnë barrikadimin e tyre

Prishtinë | 21 Sht 2022 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i institutit “EdGuard”, ka thënë ngjarjet si ajo e mbledhjes së komisionit parlamentar për Arsim, gjatë të cilës kryetari i Sindikatës së Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashara,j është përplasur verbalisht me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, nuk i kontribuojnë përmirësimit të situatës në të cilën ndodhet arsimi.

Qehaja ka thënë të mërkurën në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, se nuk e sheh madje as të logjikshme pjesëmarrjen e sindikatës në negociim me deputetë, derisa sipas tij, negocimi i nevojshëm aktualisht është ai sindikata-Qeveri.

“Cila është logjika e pjesëmarrjes së sindikatës në negocim me deputetë, do të duhej që negocimi të ishte sindikatë-qeveri. Situata të tilla nuk i kontribuojnë përmirësimit të situatës, përkundrazi kam përshtypje që e thellojnë më tutje përçarjen dhe barrikadimin. I nevojshëm është negocimi i drejtpërdrejtë Qeveri- sindikatë, të tjerat janë periferike. Shpresoj që komuniteti i mësimdhënësve dhe anëtarësi të reflektojë në mënyrë që procesi mësimor të rikthehet menjëherë”, ka thënë Qehaja.

Ai ka shtuar se barrikadimi do të thellohet edhe më tej sa më shumë që të ketë reagime kundër sindikalistëve.

“Sa më shumë reagime kundër sindikalistëve aq më shumë po thellohet barrikadimit kundrejt tyre. Institucionet të reflektojnë dhe me shumë maturi e dialog të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Edhe komuniteti i mësimdhënësve janë të lodhur me këtë situatë. Që të dyja palët janë të barrikaduara, kam frikë se do të duhet të futemi në tetor që palët të reflektojnë për dëmin e vërtetë që po u shkaktohet nxënësve. Një negocim më i hapur mes dy palëve dhe një mes në kërkesa do të ishte zgjidhja”, është shprehur Qehaja.

Sipas tij, hapi i parë që nevojitet me urgjencë tani është rikthimi në proces mësimor i mësimdhënësve, e më pas të vazhdojë dialogu social dhe reagimi sindikal me mjete të tjera.

Gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar për Arsim të mërkurën, deputeti i VV-së, Dimal Basha, e ka akuzuar Jasharajn se e ka kthyer dinjitetin në para. Kjo deklaratë ka bërë që Jasharaj ta lëshojë mbledhjen.

Të ngjashme