Qela: Territori i Kosovës mbetet ai i 1974-ës

Prishtinë | 24 Shk 2017 | 10:42 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka mbajtur konferencë për medie ku edhe ka prezantuar edhe njëherë punën që është bërë për matje e territorit, konkretisht për diskutimin publik që ka qenë për tri ditë në Qeverinë e Kosovës.

Zëdhënësi i këtij Komisioni, Tomor Qela, ka thënë se sot është dita e fundit e diskutimit publik për matjen e territorit. Pas kësaj do të publikohet edhe raporti final, raporton Ekonomia Online.

“Komisioni fton edhe personat e tjerë që kanë ngritur dilema që kontributin e tyre, çdo fakt, çdo dokument të vijnë këtu dhe të diskutojmë së bashku dhe të nxjerrin një faktografi që ne e posedojmë dhe ata e kanë”, ka thënë Qela.

Ai tha se Komisioni ka pasur një shkallë absolute të transparencës me secilin qytetarë.

“Procesi është vëzhguar gjatë gjithë kohës nga përfaqësues të ShBA-së, KFOR-it dhe përfaqësues të BE-së”.

Ai tha se Komisioni ka njoftuar për madhësinë territoriale duke thënë se para gushtit territori ka qenë 10 908 km katrorë.

“Në bazë të të gjitha gjetjeve është vërtetuar se territori është 10 mijë 905. 25km katrorë”.

Ai tha se i ftojnë të gjithë të interesuarit, të gjithë përfaqësuesit që nëse kanë dokumente le të vijnë këtu dhe t’i sjellin ato. Bëjmë ftesë publike që argumentet shkencore, faktografia mos të shpalosen në holle të restoranteve, por të shpalosen aty ku është vendi, ku është themeli i shtetit, aty ku është institucioni prej të cilit do të procedohet kjo çështje”, ka theksuar ai.

Qela tha se çështjet shtetërore nuk duhet të shikohen nga koncepti i një politike ditore. Prezantimi i fakteve në diskutim publik ku kemi pasur vizitorë të shumtë dhe kemi dëgjuar historinë e zhvillimit të Kosovës, por shteti i Kosovës duhet të vazhdojë me procedurat e tij me verifikimin e çdo pjese, sepse konsiderojmë që jemi pjesë e politikës”.

“Ne i sigurojmë të gjithë qytetarët se sipërfaqja do të mbetet kjo, e cila ka qenë prej vitit 1974 e deri sot. Përgjegjësia mbetet institucionale, mbetet profesionale me qëllim që të definojmë punën tonë”, ka thënë ai.

Sa i përket asaj se për këto tri ditë a është sjellë dokumentacion nga banorët e asaj pjese ai tha se s’kanë pasur dokumentacion relevant.

Ai foli edhe për banorët të cilët kanë thënë se kanë sjellë dokumente, por se askush nuk po i merr parasysh duke thënë se s’kanë gjetur përputhje me dokumentet e tyre.

Kurse sa i përket asaj se a e kanë ndihmuar Qeverinë në bindje të deputetëve me këtë matje, ai ka thënë se “Komisioni s’e ka pasur detyrë që të punojë për Qeverinë që t’i bind deputetët që ta kalojnë këtë, ne e kemi pasur detyrë vetëm matjen e territorit. Se si do të vendosin politikanët mbesin të vendosin vet, ne nuk dëshirojmë të interferojmë te ta”.

Diskutimi do të jetë i hapur deri në ora 15:00.

 

Të ngjashme