“Qëllimi i Serbisë të tregojë se Kosova nuk është e aftë të jetë e pavarur”

Prishtinë | 23 Dhj 2024 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Sulmi i Banjskës dhe ai i Ibër Lepencit është bërë me një qëllim të caktuar. Aleksandar Sekuloviq, bashkëpunëtor i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, vlerëson se interesi më i madh i klasës politike të Serbisë është të tregojë se Kosova nuk është e aftë për jetë të pavarur, se është një shoqëri e papjekur që duhet të kthehet nën kujdesin e Serbisë dhe se autoritetet e saj.

Prandaj sipas tij, Serbia përdor narrativa të ndryshme për të paraqitur pa asnjë fakt ‘jetën e keqe’ të serbëve që jetojnë në Kosovë. Nga këtu rrëfime të qëllimshme të Serbisë për serbët, Sekuloviq shprehet i bindur se dolën incidente të shumta në Kosovë, ndër të cilat më i famshmi është rasti Banjska dhe ai i Ibër Lepencit.

Tashmë është bërë e lodhshme të pritet që përmes deklaratave të përfaqësuesve të autoriteteve serbe të dëgjohet diçka racionale dhe konstruktive kur bëhet fjalë për Kosovën. Kështu vlerëson Aleksandar Sekuloviq, bashkëpunëtor i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd dhe nënkryetar i Shoqatës Antifashiste të Serbisë, në një tekst autorial kushtuar sulmeve dhe sulmuesve që po kryejnë akte terroriste në Kosovë, i publikuar në faqen zyrtare të helsinki.org.rs.

Sekuloviq vlerëson se sa i përket Serbisë dhe qytetarëve të saj që jetojnë në Serbi, interesi i tyre për paqe dhe stabilitet është i njëjtë me interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Mirëpo, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pushtetin aktual në Serbi dhe për pothuajse të gjithë klasën politike të Serbisë të mbushur thellë me idetë e nacionalizmit serb dhe me synimin e vendosur për ta kthyer Kosovën nën sovranitetin e Serbisë, ndërkohë që shpesh theksohet se kjo duhet bërë ‘me të gjitha mjetet’”, vlerëson ai.

Shikuar nga ky këndvështrim, Sekuloviq shprehet se interesi më i rëndësishëm i klasës politike të Serbisë është të tregojë se Kosova nuk është e aftë për jetë të pavarur, se është një shoqëri e papjekur që duhet të kthehet nën kujdesin e Serbisë dhe se autoritetet e saj, nuk janë në gjendje të garantojë paqen dhe sigurinë për qytetarët e saj, veçanërisht ata me origjinë serbe.

“Me një gjendje të tillë, më së paku që u duhen autoriteteve të Kosovës janë incidentet dhe situatat konfliktuale, e veçanërisht aktet terroriste që do të tregonin se shoqëria kosovare është e papjekur, e paqëndrueshme, konfliktuale dhe se nuk është në gjendje të kujdeset për veten”, thotë ai.

Duke marrë parasysh këto fakte, sipas tij, del konkluzioni logjik se sulmi terrorist në kanalin Ibër-Lepenc dëmton shumë autoritetet e Kosovës dhe përpjekjet e tyre drejt normalizimit të jetës shoqërore në Kosovë dhe i portretizon ato autoritete si të paaftë për të drejtuar vendin dhe për të siguruar stabilitet elementar dhe paqe.

Natyrisht, vazhdon mendimin e tij Sekuloviq, nga fakti se incidentet në Kosovë mbështesin teza dhe synime të tilla të autoriteteve serbe, nuk mund të nxirret përfundimi, derisa të vërtetohet e kundërta, se ata në çfarëdo mënyre janë të përfshirë në rrënimin e kanalit Ibër-Lepenc.

“Megjithatë, elita politike e Serbisë dhe degët e saj në Kosovë, veçanërisht degët e partisë në pushtet, mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krijimin e besimeve kolektive dhe atmosferës politike në komunitetin serb në Kosovë. Dhe atmosfera që ata krijojnë është plot me emocione irracionale, frikë, urrejtje dhe sjellje agresive”.

Kur përshkruajnë situatën në Kosovë dhe qëndrimin e elitës kosovare ndaj serbëve, Sekuloviq vlerëson se anëtarët e elitës politike serbe konkurrojnë me njëri-tjetrin në dramatizimin e situatës, duke përdorur kualifikimet më të vështira kur bëhet fjalë për qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti.

“Çdo ditë dëgjohen ankesa për gjendjen e tmerrshme të serbëve në Kosovë, për dhunën ndaj tyre, terrorin, persekutimin dhe spastrimin etnik të planifikuar nga Kurti. Fakti që ky tregim ka pak të bëjë me situatën reale në Kosovë nuk ka ndikim në mjediset dhe komunitetet ku dominojnë emocionet, ndjenjat irracionale dhe distanca tradicionale etnike dhe mosbesimi”

“Ai rrëfim vetëm sa e thellon mendimin irracional dhe e çon atë në një gjendje shpërthyese, në dëshirën për rezistencë aktive ndaj atyre planeve të largëta dhe në nxitje të forta hakmarrëse ndaj atyre që “torturojnë” serbët”.

Nga ajo situatë e nxehur, Sekuloviq shprehet i bindur se dolën incidente të shumta në Kosovë, ndër të cilat më i famshmi është rasti Banjska.

“Në të njëjtën kohë, nuk ka fare rëndësi nëse autoritetet serbe, veçanërisht ato ushtarake kanë ditur për këtë aksion dhe nëse e kanë organizuar dhe financuar. Retorika e tyre dramatike krijoi një atmosferë nga e cila në mënyrë legjitime lindin veprime kundër shtetit të Kosovës, veprime që duhet të dëmtojnë imazhin e tij si shtet stabil dhe që do t’i shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike, siç është rasti me nxjerrjen e kanalit Ibër-Lepenc”.

Për veprime të tilla, nënkryetar i Shoqatës Antifashiste të Serbisë pohon se gjithmonë ka mjaft kandidatë të gatshëm për të vepruar me iniciativën e tyre.

“Sepse në çdo shoqëri dhe bashkësi etnike ka individë që dehen nga tregimet për armiqtë e këqij dhe vuajtjet kombëtare. Por nëse histori të tilla përsëriten vazhdimisht dhe bëhen rrëfim kombëtar, atëherë kjo është dëshmi e besueshme se situata, konfliktet dhe incidentet po përshkallëzohen qëllimisht, pavarësisht se çfarë pretendohet verbalisht për të kundërtën”.

Pas krejt ngjarjeve terroriste, Banjskës dhe Ibër Lepencit, Sekuloviq thotë se është e natyrshme që presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk e humbi rastin për t’i dhënë asaj një nga “adresat e tij të famshme për publikun” dhe për të akuzuar qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin e Kosovës, duke u fshehur kështu pas pritjes së rezultateve të hetimeve që do të dalin.

Të ngjashme