Qemal Minxhozi: Ende nuk dihet sa persona ndodhen nën rrënoja

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 18:45 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se ende është herët për ta përcaktuar se cila është shkalla e dëmit nga tërmetet në Shqipëri.

Në emisionin Info Magazinë në Klan Kosova, Minxhozi ka theksuar se ende nuk dihet sa persona ndodhen nën rrënoja.

“Tani çdo njeri këtu në Kosovë ka qenë shumë i shqetësuar dhe ka ndjekur hap pas hapi gjithçka që ndodhi lidhur me tërmetet në Shqipëri”.

“Është ende herët për të përcaktuar se cila është shkalla e dëmit në Shqipëri – mund të jetë disa herë më e madhe sesa ajo që duket sot dhe që po raportohet”.

“Ende nuk dihet sa janë nën rrënoja – duhet të bëhet një kadastrim i plotë i objekteve të dëmtuara plotësisht ose gjysmë të dëmtuara”.

“Flitet që rreth 5500 banorë sot janë jashtë vendbanimeve të tyre dhe gjeografia më rëndë është në Durrës, pastaj Thumana dhe një pjesë periferike e Fushë Krujës”.

“Është bërë gjithçka që është e mundur për t’iu dhënë ndihma e parë këtyre njerëzve nga të gjitha shtresat e njerëzve të Kosovës. Ka një solidaritet shumë të madh. Ushtria e Kosovës ka qenë shumë efikase dhe vazhdon të qëndrojë në territorin e Shqipërisë”.

“Njerëzit mendojnë vetëm për ndërtesat e shkatërruara, por i anashkalojnë ato që janë të dëmtuara. Ne kemi pasur katastrofa në Shqipëri, por kanë qenë të fokusuara në një zonë; ndërsa tani i kemi pasur të shpërndara”.

Të ngjashme