Francesco Acerbi luajti titullar në sfidën që Lazio zhvilloi mbrëmjen e djeshme përballë qipriotëve të Apollon Limasolit, në atë që ishte edhe ndeshja e tij e 140 radhazi, që ka luajtur në kompeticionet zyrtare.
Qendërmbrojtësi italian, që kur ka luajtur me Sassuolon përballë Lazios, në Tetor të vitit 2015, nuk ka munguar në vijim në asnjë ndeshje zyrtare, as për shkak dëmtimi dhe as për arsye pezullimi, duke treguar se ka një rendiment për t’u përshëndetur.
“Luaj sepse futbolli është pasioni dhe profesionin im. Nuk them asnjëherë që nuk jam i gatshëm, apo që dua të pushoj. Luaj gjithmonë me shumë dëshirë”, deklaroi Acerbi, i pyetur mbi këtë shifër të rëndësishme.
Futbollisti me më shumë ndeshje radhazi është ish kapiteni legjendar i Interit, Javier Zanetti.
Argjentinasi ka arritur të zhvillojë plot 162 ndeshje zyrtare radhazi, por tashëm rekordi i tij kërcënohet nga Acerbi, që i ka shkuar shumë pranë kësaj shifre.