Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” me bazë në Zvicër ka përshëndetur fillimin e punës për përgatitjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë.
Në konferencën e djeshme për shtyp, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë prezantimit të plan-programit qeverisës, njoftoi edhe për fillimin e punës në padinë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë për periudhën e luftës së fundit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur’ përshëndet këtë vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
“Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje me Qeverinë e Kosovës se padia për gjenocid duhet të jetë e përgatitur mirë, në mënyrë që të dalim fitues nga ky proces për arritjen e drejtësisë për viktimat e gjenocidit në Kosovë”.
Sipas kësaj qendre arritja e drejtësisë për gjenocidin në Kosovë do t’i kontribuojë paqes në këtë pjesë të botës dhe do të jetë një kontribut për parandalimin e akteve të tilla të shëmtuara në të ardhmen anekënd botës.
“Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” do të angazhohet në vazhdimësi për të dhënë kontributin e vet maksimal në këtë drejtim”, thuhet më tej.