Qendra kulturore në komunitete – Hoxha: Ta njohim më mirë njëri-tjetrin, të eliminohen paragjykimet

Prishtinë | 09 Sht 2023 | 12:13 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Ditën e tretë të Festivalit multikulturor “Le të festojmë ngjashmëritë tona”, është mbajtur diskutimi me temën “Rëndësia e forcimit të identitetit kulturor dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore: Roli i qendrës kulturore në komunitete”, raporton Ekonomia Online.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Eliza Hoxha, që po mbështet këtë festival, tha se kultura është vlerë që i bashkon njerëzit pa dallim, dhe se institucionet duhet të punojnë që çdo fëmijë të ketë të drejta të barabarta të garantuara me Kushtetutë.

Sipas saj, është me rëndësi që të njihet më mirë kultura e njëri-tjetrit në mënyrë që mos të ndodhin paragjykimet, duke shtura se themelimi i një Qendre Multi-kulturore do të bëhej shtëpi e komuniteteve që t’i paraqesin problemet.

“Kosova duhet të punojë që çdo fëmijë ta ketë mundësitë që ta zhvillojë vetën sepse këtë e kërkon edhe Kushtetuta. Kultura është vlerë që i bashkon njerëzit”.

“Mos tentoni me i mbytur të veçantat e juaj që me u përshtat me njerëzit e tjerë në Kosovë, secili ka diçka të veçantë, veçantat na bënë të veçantë. Ideja për me bë Qendrën kulturore është e mirëseardhur. Kjo na ndihmon që ta njohin njëri-tjetrin, ngase po ndodhin edhe paragjykime”.

“Unë kom me kontribuar pa asnjë interes, është qëllim që ju me u zhvilluar, pak më shumë vetëbesim, edhe kërkoni ndihmë, nuk është marre me kërkuar ndihmë, nuk është marre mos me ditë. Edhe ju jeni të njëjtë para ligjit, mos hezitoni. Qendrën duhet ta shihni si shtëpi si adresë për t’i paraqitur problemet”.

Sylejman Elshani, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se një Qendër e tillë do të ndihmonte në largimin e paragjykimeve, duke shtura se ajo paraqet rëndësi të madhe për promovimin e kulturës.

“Qendra paraqet rëndësi të madhe ngase ka shumë elemente kulturore që duhet të promovohen. Çdo aktivitet kulturor që promovohet është në të mirë të të gjithëve”.

“Në Prizren në një Qendër na është dhënë mundësia që të zhvillojmë aktivitete. Edhe në Prishtinë duam që të kemi një Qendër të tillë në mënyrë që së paku të largohen paragjykimet dhe të ushqehen me informata për komunitetin rom”.

Vesa Batalli, nga “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve” (VoRAE), tha se themelimi i kësaj Qendre do të ndihmonte në ruajtjen e trashëgimisë.

Prandaj ajo bëri thirrje që të gjithë ata që kanë informacione e materiale nga e kaluar t’i drejtohen organizatës, raporton EO.

“Themelimi i Qendrës është i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë, prandaj kishim bë thirrje që çka do që posedoni në shtëpitë e juaj që duhet të shihen nga të gjithë, atëherë lajmëroni në organizatë që të diskutojmë se si mund t’i ekspozojmë. Qendra Multi-kulorore do të ketë numër të  madh aktivitetesh”.

Gjithashtu në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit multikulturor “Le të festojmë ngjashmëritë tona”, është bërë ndarja e çmimeve “Joanat e Kosovës”.

Me çmime për kontributin e dhënë për gjithëpërfshirjen dhe barazinë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, u shpërblyen Elisabet Goëing, Eliza Hoxha, Lorenta Kadriu, Medin Dauti dhe Riola Morina.

Përderisa në Sheshin “Skënderbeu” janë prezantuar identiteti dhe kultura e këtij komuniteti. Krahas kësaj, aty prezantuan edhe punime artizanale e veshje të ndryshme të punuara nga gratë e komunitetit.

Të ngjashme