Qendra për Edukim dhe Përparim lanson projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP) përmes një komunikate ka bërë të ditur se do të paraqet projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”.Ky projekt ka për qëllim bashkimin e të gjithë shqiptarëve.

Ky projekt në 5 vitet e ardhshme pritet që do të përmirësojë ndjeshëm përdorimin e gjuhës ë arsim, në shtyp e në botime në administratë dhe përgjithësisht, por edhe do të pasurojë e do të ngrejë dukshëm kulturën gjuhësore të folësve të shqipes.

Njoftimi i plotë

Kemi nderin t‘ju paraqesim projektin tonë të madh e ambicioz Gjuha shqipe dhe kompjuteri, qëllimin, pritshmëritë dhe përgatitjet në këtë fazë të re të punës.Ky është projekti më i gjerë dhe më serioz i ndërmarrë ndonjëherë për gjuhësinë kompjuterike, përkatësisht për digjitalizimin dhe teknologjitë gjuhësore në gjuhën shqipe.

Qëndrimi ynë është: “NJË KOMB, NJË GJUHË, NJË STANDARD”. Pra, synimi ynë përmes këtij projekti, përveç të tjerash, është edhe bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallime rajonale, politike apo fetare rreth pasurisë kombëtare të përbashkët më të çmuar – gjuhës shqipe.

Në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare dhe me kompani vendore në Kosovë dhe në Shqipëri e më gjerë, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, ky projekt në 5 vitet e ardhshme mendojmë se jo vetëm do ta përmirësojë ndjeshëm përdorimin e gjuhës shqipe në arsim, në shtyp e në botime, në administratë dhe përgjithësisht, por edhe do të pasurojë e do të ngrejë dukshëm kulturën gjuhësore të folësve të shqipes.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mbulojë shpenzimet e licencave për përdorim të shumicës së këtyre softuerëve për të gjithë banorët e Kosovës, duke përcaktuar në bashkëpunim me ne shumë kritere teknike dhe gjuhësore për këta softuerë.

Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP), nisur nga përvoja paraprake dhe në mbështetje të synimit themelor “Një komb, një gjuhë, një standard”, ka vendosur të formojë Këshillin Kombëtar Shkencor për projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”.

Duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i identitetit shqiptar, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore midis shqiptarëve kudo që janë, me krijimin e këtij Këshilli, QEP-i synon rritjen e cilësisë së zbatimit në praktikë të shqipes standarde e njëkohësisht të kujdesit të vijueshëm për të.

Këshilli do të ketë fillimisht 9 anëtarë: 4 anëtarë nga Kosova, 4 anëtarë nga Shqipëria dhe 1 anëtar nga Maqedonia e Veriut.

Presim nga të gjithë ata që kanë synim përparimin e gjuhës shqipe, si shenjën më të qartë të identitetit kombëtar, të bashkohen me ne në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm në fushën e digjitalizimit të pasurisë sonë gjuhësore, si: institucionet akademike dhe universitare shqiptare, shtëpitë botuese, medien e shkruar dhe elektronike, shkrimtarët, intelektualët, politikanët, njerëzit e kulturës, të artit e të jetës shoqërore në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Ky projekt ka filluar si një nismë private dhe me një përkushtim personal të Lulëzim Shishanit, por sot është kthyer në një projekt mbarëkombëtar shqiptar, me një përfshirje të gjerë të shumë institucioneve e organizatave vendore e ndërkombëtare. Disa nga këto janë: Qendra për Edukim dhe Përparim, Albasoft, Qeveria e Republikës së Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Microsoft, Amebis, Albatag.

SOFTUERËT QË DO TË OFROHEN NGA VITI 2020 DERI NË VITIN 2025

  1. Sinonimet në MS Office
  2. Drejtshkrimori i fjalëve
  3. Korrigjuesi sintaksor / morfologjik
  4. Korpusi i gjuhës shqipe
  5. Fjalorët shpjegues
  6. “Testo shqipen tënde!”
  7. “Fillestarja digjitale”
  8. Tastiera shqipe
  9. Të folur në tekst (Speech to text)
  10. Tekst në të folur (Text to speech)
  11. “Si të mësosh shqip?”
  12. “Kulla e shqipes”
  13. Libri i madh

Projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” i përmbahet Planit strategjik të arsimit në Kosovë dhe Strategjisë kombëtare të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri.

Si partnerë të Microsoft-it ne tashmë i kemi zhvilluar këta softuerë dhe shumë prej tyre fatbardhësisht janë pjesë e paketës MS Office. Kjo paketë është më e përdorura ndër shqiptarët, sidomos MS Word-i. Andaj ka qenë dhe është e domosdoshme që, edhe ne, punën tonë për shumë projekte të tjera ta orientojmë drejt kësaj platforme dhe këtij bashkëpunimi.

Pas 20 vjetësh përvoje në programim, në punën tonë, në projektin tonë të madh për gjuhën shqipe, planifikojmë që brenda tre vjetësh t’i themi lamtumirë programimit të rregullt dhe t’i themi mirë se vjen programimit përmes Inteligjencës Artificiale. Java, Python, Lisp, Prolog dhe C++ synojmë të bëhen gjuhët tona kryesore për “ArtificalInteligenceProgramming”.

Këto janë arsyet pse ky projekt është mbarëkombëtar dhe në dobi të të gjithë shqiptarëve.

Dëshira jonë ka qenë dhe është që gjuha shqipe ashtu si gjuhët e tjera, të përparojë e të ecë në hap me to.

Të ngjashme