Qendra Termokiss ka njoftuar se ka mbledhur 570 euro nga organizimi i Flea Market, me ç’rast me këto të holla kanë blerë ushqime dhe dru për nxehje për fëmijët dhe gratë në nevojë.
Përfitues të këtij donacioni janë banorët e Strehimores në Mitrovicë.
Njoftimi i plotë i Termokiss-it:
Tu Dhanë Pak, Bon Shumë!
Për Gratë dhe Fëmijët në Strehimore.
Shumë të dashtun/a,
Po ju njoftojmë me gëzim të madh se gjatë Flea Market në Termokiss i kemi mbledhë gjithsej 570 euro për gratë dhe fëmijët në strehimore.
Ju falemnderojmë përzemërsisht krejt juve që keni ardhë në Flea Market edhe keni dhanë sa keni mujt për gratë edhe fëmijët në strehimore.
Pas kontaktimit të strehimoreve në Kosovë, kemi vendosë që paret e mbledhuna të shkojnë te Strehimorja në Mitrovicë pasi na kanë informu se i mungojnë disa prej gjanave ma bazike për funksionim. Me paret që janë mbledhë kemi ble produkte ushqimore (miell, vaj, oriz, patate e perime tjera, sheqer,kryp, erëza, produkte të bylmetit, çaj, kafe etj.), produkte higjienike (detergjent, shampon për flokë, për enë e për duar, produkte për pastrim të banjos, kuzhinës, sapuna, etj.) dhe dru për nxemjen e Shtëpisë së Sigurtë.
Një falemnderim shumë i veçantë i takon Meridian Express që e ka përkrahë nismën tonë me 200 euro shtesë për blerje pa pagesë. I jemi shumë mirënjohës Meridian Express që si kompani vendore është shembull për Përgjegjësinë Sociale të Korporatave.
Shënim anësor: Kuvendi i Kosovës ka marrë vendim që Strehimoret për Gra dhe Fëmijë të financohen 100% prej shtetit. Vendimi nuk është zbatu ende dhe nuk dihet se edhe për sa kohë gratë dhe fëmijët në strehimore do të vazhdojnë të përballen me mungesë të gjanave elementare. Iniciativa jonë i mbulon dikun 3 muaj për Shtëpinë e Sigurtë në Mitrovicë.
Falemnderit shumë krejtve!