Qendrat mjekësore në Prishtinë ofruan mbi 3 milionë shërbime shëndetësore – sfidë numri i vogël i personelit dhe barnat esenciale

Prishtinë | 11 Jan 2025 | 08:30 | Nga Gzim Mujaj

Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se QKMF, me 17 njësi operative dhe 34 pika shërbimi, përfshirë shërbimin shtëpiak, gjatë vitit 2024 kanë ofruar gjithsej mbi 3 milion e 750 mijë shërbime shëndetësore.

Hashani si sfidë për Qendrat e Mjekësisë Familjare përmendi numrin e kufizuar të personelit shëndetësor, mjekeve dhe infermiereve, si dhe furnizimin jo të duhur me material shpenzues dhe barna nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndër shërbimet e raportuara, sipas tij, 1 milion e 150 mijë kanë qenë vizita mjekësore, 1 milion e 220 mijë shërbime shëndetësore të tjera, 1 milion e 190 mijë shërbime laboratorike dhe 154,129 vizita stomatologjike. Në radiologji janë ofruar 351,000 shërbime, duke përfshirë mamografi, radiografi dhe ultrazëra.

“Raportit i shërbimeve edhe vizitave shëndetësore në kuadër të QKMF-së me 17 njësitë e saja, përfshirë këtu edhe 16 njësit ose ambulantë e Mjekësisë Familjare që në fakt i kemi 34 njësi përfshirë edhe shërbimin shtëpiak, në Prishtinë janë ofruar 3 milion e 756 mijë e 28 shërbime në total shëndetësore. Që realisht kjo nuk korrespondon edhe me numrin e raportuar ose numrin që e kemi të banorëve të Prishtinës, që realisht nuk mundet 3 milion e 700 mijë shërbime mi kërkuar 200 mijë banor, këto shërbime janë ofruar edhe për pjesën tjetër të atyre që punojnë ose veprojnë në Prishtinë, ndërsa nuk e kanë vendbanim Prishtinën. Vizita mjekësore i kemi pasur 1 milion e 150 mijë, ndërsa shërbime shëndetësore 1 milion e 220 mijë, shërbime laboratorike 1 milion e 190 mijë, pastaj vizita stomatologjike i kemi 154 mijë e 129 në poliklinikë edhe në qendrat tona të Mjekësisë Familjare. Ndërsa për radiologji, kemi 351 mijë shërbime radiologjike, përfshirë mamografinë, radiografinë e pjesëve të ndryshme të organizmit si dhe ultrazërin qoftë të barkut, abdomenit të qafës, apo të pjesëve të tjera të trupit”, ka thënë ai për Ekonomia Online. 

Hashani theksoi se QKMF po përballet me sfida të mëdha për shkak të mungesës së personelit shëndetësor.

Sipas tij, QMF-të janë të pajisura mjaftueshëm me pajisje për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetaret.

“Realisht para tre viteve kemi mbi 30 për qind të rritjes së shërbimeve shëndetësore, kjo nënkupton që kemi një angazhim më të madh të stafit shëndetësor, jo që është rrit stafi shëndetësor. Sfida më e madhe që na paraqitet neve si QKMF është numri i kufizuar i personelit shëndetësor, mjekeve dhe infermiereve. Ne edhe pse në kohën e fundit morëm disa mjek dhe infermier, prapë ato nuk i plotësojnë nevojën të cilën e kemi në të gjitha njësit që shërbejnë në kryeqytet. Sa i përket pajisjeve shëndetësore ne i kemi të gjitha, do të thotë QMF-të janë të pajisura mjaftueshëm për ofrimin e shërbimeve cilësore për gjithë qytetarët ne veçanti për ata të kryeqytetit”, ka thënë ai.

Hashani gjithashtu përmendi se Ministria e Shëndetësisë ka pasur vështirësi në furnizimin me medikamente esenciale, duke detyruar QKMF-në të sigurojë vetë barna për raste emergjente.

“Sa i përket materialit shpenzues dhe barnave nuk jemi të furnizuar mirë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, në përqindje nuk mund ta them por një pjesë dërrmuese e mjeteve tona shkon nga Drejtoria e Shëndetësisë pikërisht për blerjen e këtyre barnave të cilat realisht nuk furnizohen nga Ministria e Shëndetësisë, e pa të cilat për shembull nuk mund të funksionojnë, janë barna për rastet emergjente, barnat për anti shok terapia. Këto barna realisht ne i blejmë dhe është një sasi e konsiderueshëm. Realisht MSH-ja është përgjegjës për furnizimin e listës esenciale të barnave të cilat ne nuk mund të bëjmë ndonjë ndryshim ose ndonjë kërkesë të veçante, sigurisht se kjo nuk është sfide vetëm për Prishtinë por edhe për qendrat ë tjera. Ndërsa sa i përket Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë në pamundësi të ndërrimi të legjislacionit për me rrit numrin e punëtoreve shëndetësor ne do të mundohemi që kështu të mbulohemi edhe pse kjo paraqet një sfide të madhe për menaxhmetin e QKMF-së”, ka thënë ai. 

Megjithatë, Hashani ka shtuar se Drejtoria e Shëndetësisë ka një plan për të rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore duke rritur numrin e stafit, duke përfshirë angazhimin e mjekëve të familjes për lagjet e qytetit. Një përpjekje e tillë synon të zvogëlojë numrin e pacientëve për mjek dhe infermier, duke i mundësuar stafit të ofrojë një shërbim më të shpejtë dhe më cilësor për qytetarët.

“Kemi plane që të ngritët cilësia e shërbimeve shëndetësore, mundësisht që të rrisim numrin e stafit për aq sa na lehjet me ligj, që përcaktimi i mjekëve familjar për banor të cilët gjinden në lagje të përfundoj këtë vit, me qenë se MSH-ja muajt e kaluar e ka sensibilizuar edhe më tepër këtë çështje. Ne kemi bërë edhe kërkesë që edhe numri i pacienteve të zvogëlohen një mjek dhe dy infermier, ku tani i kemi 2000-2500, pse jo të behet 1500 me këtë do të rritet edhe shërbimi shëndetësor edhe cilësia e shërbimit shëndetësor, por në fakt edhe numri i pacienteve për kontrollet e përditshme do të zvogëloheshin nga 30-40 sa janë në maksimum 20 raste brenda ditës”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme