Moszbardhja e fatit të të pagjeturve dhe të zhdukurve vazhdon të jetë një ndër plagët më të mëdha edhe për udhëheqësin e Zyrës Burimore, për personat e pagjetur në rajonin e Mitrovicës, Bajram Qerkini.
Qerkini tha për Front Online se që 15 muaj është bllokuar procesi i të pagjeturve.
“Kur flitet një marrëveshje përfundimtare për të pagjeturit nuk kemi informata se çfarë do të flitet aty, që 15 muaj është bllokuar procesi dhe nuk është folur për ta. Ne familjarët dhe shoqata jonë jemi në një mjegull të dendur, asnjë informatë nuk e kemi”, theksoi Qerkini.
Qerkini fajet për të pagjeturit i ka hedhur tek Qeveria Kurti.
Sipas tij, nga marrja e mandatit të LVV-së, ka stagnuar procesi i personave të pagjetur.
“LVV-ja prej që e ka marr mandatin ka thënë që në Bruksel do të kemi çështjen e personave të pa gjetur numër 1 dhe asnjë hap nuk e ka bërë, LVV-ja e ka stagnuar procesin e personave të pagjetur”, thotë Qerkini
Bajram Qerkini deklaroi se nuk kanë dijeni se kur do të vazhdojnë gërmimet e reja.
“Lokacione ka se janë dëshmuar që ka dhe nuk janë gërmuar i kanë bërë disa ndryshime por aty ku duhet nuk kanë dhënë rezultate, kur do të ketë gërmime tash apo kur nuk jemi të informuar dhe nuk e dimë se çfarë po përgatitet për këtë çështje. Komisioni qeveritar për të pagjeturit, grupi dialogues të gjithë këta na hynë në hak neve familjareve dhe na lënë neve në huti dhe manipulimet e ndryshme që nuk e dimë se çfarë programi ka në të ardhmen komisioni qeveritar”, u shpreh Qerkini.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan 6 mijë e 500 persona të zhdukur.
Shumica prej tyre u gjetën, si rezultat i zhvarrimeve në varreza masive në Kosovë dhe Serbi.