Puna e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndikohet pas infektimit të kryeministrit Hoti me COVID-19. Zyra e kryeministrit Hoti, përmes një komunikatë për media ka bërë të ditur se kryeministri Hoti do të koordinohet më zëvendësit e tij.
Në komunikatë po ashtu thuhet se stafi i Zyrës së Kryeministrit do t’u përmbahet protokollove të sugjeruara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, me sugjerimin e mjekëve, dje pasdite e ka bërë testin për COVID- 19. Porsa ka marrë rezultatin, ai është vetizoluar dhe do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e tij nga shtëpia, online”.
“Ndërsa, stafi i Zyrës së Kryeministrit do t’u përmbahet protokollove të sugjeruara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”.
“Ndërkohë, agjenda e punës e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndikohet. Kryeministri Hoti do ta koordinojë punën nga shtëpia në konsultim me zëvendëskryeministrat”, thuhet në komunikatë.