Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se kusht për të vazhduar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por, një deklaratë e tillë, siç duket nuk është duke e shqetësuar aspak Qeverinë e Kosovës.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar për Indeksonline se në Kosovë nuk bëhet siç kërkon apo deklaron Vuçiqi.
Sipas tyre, asociacioni do të bëhet në bazë të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.
“Në Kosovë nuk bëhet ajo që deklaron presidenti serb Vuçiq, por ajo që vendoset nga institucionet legale kosovare. Asociacioni do të bëhet ekskluzivisht në bazë të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të vendit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Ndërkaq, sa i përket dialogut mes dy vendeve, në këtë përgjigje thuhet se përmbyllja e dialogut dhe njohja e dy anshme do të përshpejtonte krijimin e asociacionit.
“Përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi me njohje reciproke do ta përshpejtonte krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe jo e kundërta”, thuhet tutje në përgjigjen e Qeverisë.
Ndërkaq, presidenti i vendit Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme ka thënë se Kosova është e gatshme që të vazhdojë fazën e fundit të dialogut me Serbinë.