Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar sot tri marrëveshjet financiare në vlerë prej 158 milionë euro, të cilat janë negociuar paraprakisht me Qeverinë e Francës, Qeverinë e Hungarisë, Qeverinë e Austrisë, si dhe ka miratuar Garancinë Shtetërore me BERZh-in për linjën e dytë kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë euro.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në prezantimin e këtyre marrëveshjeve para kabinetit qeveritar, në lidhje me Projektligjin për Marrëveshjen Financiare me Qeverinë e Austrisë, bëri të ditur se ”çështja kryesore e trajtuar në këtë Projektligj është ratifikimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar në mes të Qeverisë së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë e përfaqësuar nga Ministria Federale e Financave, marrëveshje kjo e cila i mundëson Qeverisë së Kosovës marrje të huas nga Qeveria Austriake në vlerë deri në 30 000 000 € për investime në projekte të ndryshme kapitale”.
“Qeveria e Kosovës në Programin e saj 2015-2018 ka paraparë investime në sektorin e ujërave, si për përpunimin e ujërave të zeza gjithashtu edhe në investimin në përmirësim të furnizimit me ujë të pijes. Sektorë tjerë që marrëveshja do të përfshijë janë edhe ai i shëndetësisë, edukimit, bujqësisë etj. Investimet në sektorët e lartpërmendur kontribuojnë në implementimin e Programit të Qeverisë”, tha Hoti.
“Me këtë marrëveshje, Qeveria Austriake i jep mundësi Qeverisë së Republikës së Kosovës të marr hua në vlerë deri në 30 000 000 €, prej të cilave veç se janë dedikuar 5 milionë për projektin e Ministrisë Arsimit – E-Edukimi, si dhe 2.6 milionë për projektin e Ministrisë së Shëndetësisë – Kardiologjia, që do të thotë se kanë mbetur edhe 22.4 milionë euro për tu investuar”, shtoi Ministri Hoti.
Në lidhje me Projektligjin për Ratifikimin e Protokollit Financiar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës, dhe të Marrëveshjes për Hua për zbatimin e këtij Protokolli ndërmjet Ministrisë së Financave dhe përfaqësuesit të Qeverisë franceze – NATIXIS, ministri Hoti bëri të ditur se me 5 korrik të vitit të kaluar kanë nënshkruar Protokollin Financiar për bashkëpunim ndërshtetërorë me Qeverinë franceze.
“Në këtë marrëveshje është parashikuar nënshkrimi i marrëveshjes për hua për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Prishtinë, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit. Më 19 janar të vitit aktual kemi nënshkruar edhe marrëveshjen për hua, me ç ‘rast i kemi kompletuar marrëveshjet e nevojshme për fillimin e përgatitjeve për realizim të projektit në fjalë. Kjo marrëveshje ka një vlerë totale 66 milionë euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.036%, grejs periudhë 5 vjet, si dhe një periudhë të kthimit 25 vjet”, ka theksuar Hoti .
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë hungareze për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar, sipas ministrit Hoti është një kornizë për bashkëpunim financiar në mes të dy shteteve për financimin e projekteve në sektorët e ujërave/ujërave të zeza si dhe infrastrukturës.
Sipas tij, marrëveshja me Qeverinë e Hungarisë ka një vlerë totale 62 milionë euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.00%, grejs periudhë 1.5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 17 vjet.
Ndërsa, sa i përket miratimit të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për FSDK-Linja e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Hoti bëri të ditur se “Ministria e Financave pas dhënies së pëlqimit nga Qeveria e Kosovës për emetimin e garancisë shtetërore ndaj BERZh-it për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës (FSDK), aprovimit të Qeverisë për nismën e negociatave dhe autorizimit të pranuar nga presidenti i Kosovës, ka zhvilluar negociatat me BERZh-in dhe kemi nënshkruar Projektligjin për Marrëveshjen Ndërkombëtare të Garancisë Shtetërore për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për FSDK-në”.
“Vlera financiare e kësaj marrëveshje është 24 milionë euro e ndarë në tri transhe: 14 milionë zotohen me rastin e hyrjes në fuqi të marrëveshjes financiare, 6 milionë të pa zotuara, por për t’u bërë efektive në vitin 2018 (me rastin e rritjes në nivelit të shumës së depozitës së siguruar nga 4 000 në 5 000 euro), si dhe 4 milionë për t’u bërë efektive në vitin 2020 (me rastin e skadimit të linjës së parë kreditore)”, shtoi Ministri Hoti.