Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme propozimin për ndryshim-plotësimin e udhëzimit administrativ, që mundëson që pronat e sekuestruara të kryeterroristit Milan Radojiçiq t’i kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim Policisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë prezantimit të këtij proopozimi tha se kjo po bëhet me synim të rritjes së sigurisë.
“Ky ndryshim është bërë me qëllim për shkak se disa prona që janë në fazën e sekuestrimit dhe që gjenden në pika të një rëndësie strategjike të kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim të institucioneve të sigurisë, me synim të vetëm për rritjen e sigurisë shtetërore, territorial dhe institucionale dhe rendit publik në atë pjesë të vendit. Bëhet fjalë për pronat e kryeterroristit Milan Radojiçiq. Këto prona që kanë qenë të të tij, tash janë në menaxhim të Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht në Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar. Sipas diskutimeve që kemi pas, ne planifikojmë që këto prona t’i japim për Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjegjësisht Policinë e Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu gjatë mbledhjes së Qeverisë.
E Kryeministri Albin Kurti tha se këto prona gjenden në pika strategjike dhe se shfrytëzimi dhe menaxhimi i tyre nga institucionet e sigurisë, është i rëndësisë nacionale
“Shkurtimi i procedurave të dhënies me qira të pasurive të paluajtshme pa ankand publik në fazën e sekuestrimit, është bërë me qëllim të përshpejtimit të kalimit të pronës së paluajtshme nga Agjencia në shfrytëzim të institucionit publik që e kërkon atë. Kjo për shkak se disa pasuri që tashmë janë sekuestruar gjenden në disa pika strategjike të territorit tonë, konkretisht në veri të vendit. Shfrytëzimi dhe menaxhimi i tyre enga institucionet e sigurisë është i rëndësisë nacionale dhe i kontribuon rritjes së sigurisë territorial në përgjithësi e posaqërisht qytetarëve të vendit tonë”, ka deklaruar Kurti.