Qeveria britanike ka bërë të ditur sot se nuk e ka në plan të bëjë pagesën prej 500 funtave për secilin qytetar anglez që ka dalë pozitiv me koronavirus.
Mediat britanike kishin raportuar se qëllimi i kësaj ideje ishte që të inkurajoheshin njerëzit të testoheshin, shkruan Reuters.
Gazetat kanë cituar një dokument politikash ku thuhej se qeveria po e mendonte si ide këtë pavarësisht se kjo do të kishte kosto prej 453 milionë funta në javë, pasi studimet kishin treguar se shumë njerëz po injorojnë thirrjet për vetë-izolim për shkak të ndikimit financiar në pamundësi për të punuar gjatë karantinës.
“Nuk kemi në plan të realizojmë pagesën prej 500 funtave”, deklaroi zëdhënësi i kryeministri anglez Boris Johnson.
Aktualisht një pjesë e njerëzve me të ardhura të ulëta po paguhen me nga 500 funta për shkak të vetë-izolimit mirëpo gazetat kishin shkruar se qeveria po e shqyrtonte këtë si një pagesë që duhej secilit që del pozitiv në test.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm 17 për qind e qytetarëve me simptoma në Britani të Madhe po kryejnë testin për koronavirus.