Oda Ekonomike e Kosovës ka përshendetur lajmin për ratifikimin e marrëveshjes së transportit rrugor në mes të Kosovës dhe Bullgarisë për çka fuqishëm ka lobuar te institucionet vendore dhe ato të Republikës së Bullgarisë.
“Më gëzojë fakti që sot në takim me konsullin e Ambasadës Bullgare në Kosovë z. Valeri Hristov u informova se Qeveria bullgare me datën 10 nëntor 2016 ratifikojë këtë marrëveshje që për transportuesit vendor është e rëndësisë së veçantë ekonomike, politike e mbi të gjitha strategjike, sepse hap mundësinë për uljen e kostos së transportit nga Bullgaria por edhe nga Turqia nga fakti që mund të shfrytëzohen mjetet e transportit vetanak”, tha kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.
Kreu i Odës theksoi se bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Bullgarisë duhet të avancohet në forma të ndryshme e mbi të gjitha duke e eliminuar barrierat tarifore dhe jo tarifore për bashkëpunim reciprok.
Në takim me Hristov u bisedua edhe për përgatitjet e organizimit të një forumi ekonomik në mes të bizneseve kosovare dhe atyre bullgare dhe involvimin e agjencive me qëllim të forcimit të bashkëpunimit në sferën publiko private.
Sektorët e identifikuara për këtë forum ekonomik që do të organizohet në fillim të vitit 2017 do të jenë përpunimi i produkteve bujqësore dhe agrobiznesi, IT dhe teknologjia informative, përpunimi i drurit dhe metaleve, edukimi, energjetika, ndërtimtaria, tregtia si dhe transporti dhe logjistika.
Kryetari Gërxhaliu vlerësoi lartë angazhimin e Ambasada Bullgare në Kosovë në mbështetje të proceseve ekonomike dhe shprehu besimin se në aspektin bilateral në të ardhmen e afërt do të ketë efekte pozitive.