Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se zgjidhja e çështjes së Demarkacionit, do të shqyrtohet tek pasi të përfundojë puna e Komisionit Shtetrorë në krye meShpejtim Bulliqin, që e emëroi kryeministri Ramush Haradinaj.
Presidenti Thaçi gjatë ditës së sotme hodhi akuza në drejtim të këtij komisioni, ku tha se “komisioni për Demarkacion po plason trillime për publikun”, duke i cilësuar veprimet e tyre si “amatoreske”.
“Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik”, ka thënë Thaçi sot gjatë ditës.
Në anën tjetër, qeveria po thotë se po presin pikërisht analizat e këtij komisioni për të shikuar se si duhet të vazhdohet tutje.
Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, zyra për informim e Qeverisë së Kosovës ka thënë se raporti i Komisionit shtetëror për shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi do të bëhet në afat optimal.
“Çështja e demarkacionit është e ndërlidhur me përfundimin e punës së komisionit të ri shtetëror dhe ajo do të fillojë të zgjidhet pasi të ketë kryer punën komisioni dhe pasi të jenë vlerësuar dhe analizuar të gjeturat e tij. Prezantimi i raportit nga Komisioni shtetëror për shënimin dhe mirmbajtjen e kufirit shtetëror do të bëhet në një afat optimal, pasi ta ketë kompletuar punën ai”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.
Tutje nga qeveria po thonë se versioni aktual i Demarkacionit nuk ka mbështetje, dhe si rezultat çështja mund të përfundojë në arbitrazh.
“Varianti aktual i demarkacionit nuk ka votë dhe nuk ka mbështetje, prandaj në rrethanat e krijuara çështja edhe mund të përfundojë në arbitrazh. Me Malin e Zi do të kërkohet zgjidhje për çështjen, por në një situatë të caktuar do të mund të kërkohet zgjidhja përmes arbitrazhit”, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës për lajmi.net
Zgjidhjen e Demarkacionit me Malin e Zi në arbitrazh, e kishte parlajmëruar para disa ditësh edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
“Demarkacioni mund të përfundojë në arbitrazh e kam thënë disa herë, pasi versioni aktual nuk ka vota”, kishte deklaruar kryeministri i vendit.
Ndryshe, Mali i Zi vazhdimisht ka deklaruar se çështja e shenjëzimit të kufirit me Kosovën nuk do të rinegociohet pasi për ta është e përfunduar.
Demarkacioni ka qenë temë kryesore në Kosovë për tri vitet e fundit. Veç se është kush kryesor për liberalizimin e vizave, kjo çështje mbahet mend edhe për protestat e organizuara nga opozita si në Kuvend ashtu edhe jashtë tij.