Qeveria e Kosovës përmes një komunikate ka dënuar vrasjen me armë zjarri të politikanit serb, Oliver Ivanoviq, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Qeveria e vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës.
“Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”, thuhet në komunikatë.
Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.