Qeveria dhe ICO me strategji për sfidat me të cilat përballen komunitetet në Kosovë

Prishtinë | 22 Tet 2024 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja për të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet e Pakicave, Emilija Rexhepi, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Komuniteteve (ICO), kanë mbajtur takimin e dytë të Forumit për komunitetet joshumicë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Forumit për Komunitetet Jo-shumicë i paraprinë një Memorandum Mirëkuptimi i nënshkruar ndërmjet Zyrës së zëvendëskryeministres, Rexhepi dhe Organizatës Ndërkombëtare të Komuniteteve (ICO), me seli në Mbretërinë e Bashkuar.

Zëvendëskryeministrja për të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet e Pakicave, Emilija Rexhepi, ka thënë se bashkëpunimi me ICO-n ka rezultuar i suksesshëm.

Rexhepi, ka thënë se projekti për investim dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, prek zhvillimin e të rinjve dhe grave dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve jo-shumicë.

“Ato prekin të gjitha kategoritë, domethënë zhvillimin e të rinjve dhe grave dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve tona dhe ndoshta të gjithë së bashku të përfshihemi në një projekt të madh ashtu që banorët e shtetit tonë të kenë dobi, në këtë kuptim unë do të përfshihem më vonë sepse ekipi im ka punuar së bashku me ju në strategjinë e forumit se si do të dukej dhe si do të ndiqnim ne si Qeveri dhe ICO dhe investitorë dhe të gjenim mënyrën më të mirë të mundshme për të zbatuar të gjitha projektet tona të përbashkëta”, ka thënë Rexhepi.

Sekretari Gjeneral i ICO-s me seli në Londër, James Holmes, ka thënë se qëllimi i tyre është mbështetja e iniciativave me ide për komunitetin e tyre. Andaj, kërkoi nga organizatat që ta shtojnë bashkëpunimin me institucionet.

“Ka mjaftë iniciativa që janë duke ardhur dhe qëllimi i këtij forumi është që të japim mundësi si udhëheqës të komuniteteve dhe të dëgjohet fjala juaj. Qëllimi i rolit tonë dhe mbështetjes është që t’ju ndihmojmë që të prezantoni iniciativat dhe idetë politike në mënyrë të duhur”, u shpreh ai.

“Një mundësi për ju që të jeni në gjendje të flisni me ministrat, të cilët janë sot këtu, të cilët janë në forumin e fundit, të cilët do të jenë në takimet e ardhshme të forumit dhe të ndani idetë tuaja, politikat tuaja, prioritetet tuaja dhe të siguroheni që ato janë dëgjuar pikërisht në zemër të qeverisë. Qëllimi i rolit tonë, mbështetjes tonë është t’ju ndihmojmë t’i paraqisni ato iniciativa, ato ide, ato ide politike në mënyrën më të mirë të mundshme. Për ta bërë këtë, procesi duhet të drejtohet nga të dhënat, duhet të jetë i bazuar në prova, duhet të jetë rezultat i hulumtimit, rezultat i provave, rezultat i takimeve”, ka shtuar Holmes.

Qëllimi i këtij Memorandumi dhe i Forumit është të avancojë integrimin e komuniteteve jo-shumicë në jetën politike, sociale, ekonomike, arsimore dhe kulturore të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe ICO përmes këtij bashkëpunimi synojnë të zhvillojmë strategji efektive dhe zgjidhje për sfidat me të cilat përballen këto komunitete, duke e fuqizuar rolin e tyre në zhvillimin shoqëror të vendit tonë.

Ky projekt, për investim për zhvillimin ekonomik të Kosovës, në bashkëpunim me ICO, planifikohet të zbatohet gjatë viteve 2024-2030.

Të ngjashme