Një ankesë e deputetëve të Grupit 6+ ka detyruar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, të distancohet nga deklaratat fyese të zëvendësministrit të Jashtëm, Gjergj Dedaj, bërë kundër Turqisë, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse Haradinaj do të plotësojë edhe kërkesën për shkarkimin e Dedajt, që është pjesë e letrës që i dërguan gjashtë deputetët minoritarë, që janë pjesë e koalicionit qeverisës, shkruan sot Koha Ditore.
Në letrën dorëzuar Haradinajt, deputetët e 6+ thonë se zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, “me deklaratat e tij nënçmuese, fyese dhe përçarëse e ka ofenduar komunitetin turk”.
Por, deklarimet e Dedajt që Qeveria i cilëson fyese ndaj Republikës së Turqisë, duket se nuk do ta pengojnë zëvendësministrin e Jashtëm Dedaj të shpërblehet me dërgimin në shërbimin diplomatik.
Burime të sigurta i kanë thënë “Kohës Ditore” se Dedaj tashmë është propozuar për ambasadorin e ardhshëm të Kosovës në Maqedoni.