Qeveria e Kosovës ka miratuar projektin për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore të periudhës janar-qershor në komunën e Suharekës dhe në komunat tjera të prekura, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka prezantuar arsyetimin e kompensimit.
“Vendi ynë përgjatë këtij viti përveç dëmeve ekonomike të shkaktuara nga COVID 19, është përballur edhe me fatkeqësi natyrore me dëme të konsiderueshme për bujqit tanë”.
“Pjesë e programit e qeverisë 2020-2023 është themelimi i fondit për sigurime bujqësore që mundëson bujqve të mbrojnë kulturat e tyre bujqësore. Në këtë drejtim kam angazhuar ekspertë me përkrahje të donatorëve dhe BQK-së për të jetësuar projektin”.
“Para pak ditësh në mbledhjen e Qeverisë kam propozuar të ndajë mjete financiare prej 1.87 milionë euro nga buxheti i Ministrisë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara janar-qershor nga fatkeqësitë natyrore në vendin tonë. Propozoj që sot të kompensojmë dëmet në Suharekë për të njëjtën periudhë, prandaj të miratojmë këtë projekt”.