Bashkimi Evropian e ka bërë gati agjendën e raundit të radhës të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është planifikuar të zhvillohet në tri takime në Bruksel gjatë javës së ardhshme.
Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti, në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës ka marrë ftesë për t’u paraqitur në këto takime, ndërsa ka treguar se ende nuk i janë përgjigjur kësaj ftese.
“Po, ftesa ka ardhur! Ende nuk jemi përgjigjur. Kaq mund t’ju them tani për tani”, ka thënë Beqiri.
BE’ja raportohet se ka planifikuar t’i vë përballë Kosovën dhe Serbinë në tri takime të njëpasnjëshme, më 27, 28 dhe 29 shtator.
Takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është planifikuar të mbahet të martën e 29 shtatorit.
Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është raportuar se mund ta bllokojë dialogun, me Serbinë që po insiston që kjo të diskutohet në Bruksel. Kryeministri Avdullah Hoti, në një konferencë për media sot tha se kjo çështje është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet më për të.
“Kjo temë nuk diskutohet sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër me parime e vitit 2015, që në fakt e përmirëson marrëveshjen e vitit 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut”, ka thënë Hoti.
Presidenti Hashim Thaçi dhe partitë opozitare gjithashtu kanë tërhequr vërejtjen që kjo temë të mos jetë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.