“Përkrahja për gratë dhe fëmijët është vlerë dhe botëkuptim i Qeverisë sonë”, na tha Kurti teksa e manipulonte edhe premtimin e tij zgjedhor për fëmijët dhe lehonat.
Ai kishte premtuar subvencione për fëmijët deri në 16 vjeç. Por, tash i kishte kufizuar ato vetëm për fëmijët deri në dy vjeç, përkatësisht për ata që kanë lindur në vitin 2020 dhe 2021.
Sipas të dhënave zyrtare, mesatarisht i kemi rreth 20 mijë lindje brenda një viti. Për dy vite i kemi rreth 40 mijë fëmijë që do t’i marrin nga 20 euro subvencione. Ndërsa, për gratë e papuna në periudhën e lehonisë, ai premtonte pagë minimale prej 250 euro derisa fëmija i tyre t’i mbushte 6 muaj.
Qysh në fillim i gëlltiti katër muaj, duke subvencionuar vetëm gratë lehona që kanë lindur fëmijë prej 1 gushtit 2021, pra në këta dy muajt e fundit. Pushimi për gratë lehona të punësuara është deri në 9 muaj me pagë të përshkallëzuar.
Shkojmë pak kah ministria e Pecit.
Në Programin për Pagesa Direkte për vitin 2021 qenkan paraparë subvencione nga 85 euro për krerë të lopëve dhe buallicave qumështore. Sipas statistikave zyrtare, Kosova ka rreth 257,733 krerë gjedhe, ku në prodhimtarinë e qumështit që potencialisht subvencionohen me nga 85 euro janë 131,939 krerë lopë dhe 2,088 krerë buallica.
Për dele, dhi dhe dosa për riprodhim ka paraparë subvencione nga 20 euro për krerë. Kosova i ka rreth 216,299 krerë dele e dhi, ku në prodhimtarinë e qumështit që potencialisht subvencionohen me nga 20 euro janë rreth 145,248 krerë dele dhe 20,600 krerë dhi. Ndërsa, derra, zyrtarisht në Kosovë janë rreth 40,533 dhe rreth 19,000 krerë janë dosa për riprodhim që do të subvencionohen me nga 20 euro.
Vlerat dhe botëkuptimet e Kurtit, sipas ndarjes së subvencioneve, po na dalin goxha të çuditshme!