Qeveria e Kosovës mendon se mbajtja në fuqi e masave nga BE është e pakuptimtë: Duhet të hiqen menjëherë

Prishtinë | 22 Gus 2024 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës tha se mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese ndaj Kosovës me gjithë rekomandimin pozitiv të përfaqësuesit të lartë të BE, Josep Borrell është e pakuptimtë.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, tha se masat duhet të hiqen menjëherë dhe në mënyrë të plotë.

“Masat kanë qenë të padrejta prej ditës së parë. Mbajtja ende në fuqi e këtyre masave përkundër rekomandimit pozitiv nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, z. Josep Borrell tashmë është e pakuptimtë. Ishte vetë letra e z. Borrell e 3 qershorit 2023, ajo që vendosi kushtet për vendosjen e masave ndaj Kosovës, që pasoi me marrëveshjen e Bratisllavës, dhe vetë përfaqësuesi i lartë Borrell i cili i ka propozuar fillimisht ato, ka më shumë se një muaj që ka konstatuar se të gjitha kushtet janë përmbushur dhe masat duhet të hiqen. Meqë është konstatuar përmbushja e kushteve, nuk ka nevojë as për heqje graduale, e hiç më pak për mbajtjen e tyre, por duhet largimi i plotë dhe i njëhershëm i masave”, tha Kadiu për RTV21.

Një ditë me parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se diskutimet e shteteve anëtare të BE-së në Këshill për raportin e përfaqësuesit të lartë, për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Kosova janë duke vazhduar, teksa i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pa koordinuar.

Masat ndaj Kosovë u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre.

Të ngjashme