Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatave Ndërkombëtare si dhe mori pjesë në ceremoninë e shënimit të dy vjetorit të pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON).
Gjatë takimit me delegacionin e KON-it të kryesuar nga Ching Kuo Wu, i cili është edhe president i Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA), kryeministri Mustafa e ka falënderuar për përkrahjen e jashtëzakonshme të KON-it për Kosovën duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e sportit Kosovar.
Të pranishëm në takim ishin edhe ministri I Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, fituesja e Medaljes së Artë në olimpiadën e Rios, Majlinda Kelmendi, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani e zyrtarë të tjerë të sportit vendor e ndërkombëtar.
Përfaqësuesi i KON-it, Ching Kuo Wu, shprehu përkrahjen e mëtejme për sportet kosovare duke e vlerësuar përkushtimin e shtetit të Kosovës në këtë drejtim.
Kryeministri Isa Mustafa tha se pa përkrahjen e tyre, Kosova nuk do të mund të merrte pjesë në lojërat olimpike ku shpalosi vlerat e saj duke arritur edhe fitoren e Medaljes së Artë nga Majlinda Kelmendi.
Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të krijojë infrastrukturë sportive dhe hapësirën e nevojshme që sportistët dhe federatat sportive të arrijnë rezultate kulmore siç kanë bërë deri me tani Majlinda Kelmendi e Aziz Salihu e sportistë të tjerë, duke i dhënë vulë historisë së sportit të Kosovës.
Gjatë ceremonisë është bërë dorëzimi i Stemave të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për tetë (8) sportistët e Kosovës, pjesëmarrës në Rio 2016 si dhe janë ndarë mirënjohjet për rreth 40 sportistë të cilët me të arriturat e tyre sportive të jashtëzakonshme, kanë kontribuar për anëtarësimin e organizatave sportive të Kosovës në organizatat ndërkombëtare