Qeveria e kancelares Angela Merkel ka bërë thirrje që Republika e Kosovës të ndalë luftën tregtare me Serbinë, duke sinjalizuar se Evropa është e shqetësuar për tensionet e reja në Ballkan që cenojnë përpjekjen shumë vjeçare për pajtim.
“Çështja për të cilën nuk kemi fare mirëkuptim është vendosja e taksës prej 100 për qind nga Kosova për produktet e Serbisë”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë së Merkelit, Steffen Seibert gjatë një konference për media të mërkurën në Berlin, shkruan ‘Bloomberg’, transmeton Gazeta Express.
Ai gjithashtu ka thënë se Gjermania do të preferonte që Serbia të lejonte Republikën e Kosovës që të anëtarësohej në INTERPOL.
Sa i përket idesë për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i pa ndryshuar.
“Ajo ka theksuar se ‘integriteti territorial i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është jashtëzakonisht i rëndësishëm” ka thënë Seibert.
Megjithatë Gjermania do të mbështesë një marrëveshje të qëndrueshme reciproke ndërmjet dy palëve.
“Ne shpresojmë që të dyja palët të kthehen shpejt në dialog”, ka shtuar zëdhënësi i qeverisë së Merkelit.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje për të dyja palët që të shmangin çfarëdo përshkallëzimi të situatës.