Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për organizimin e kabinetit të Qeverisjes së Mirë, iniciativë e kësaj partie.
Ai ka sqaruar se kjo nismë është në finalizim e sipër dhe ditëve në vijim do të bëhen publik emrat.
Tahiri nuk e bëri të ditur se a do të jetë pjesë kabinetit, por tha se ka përgjegjësi të mëdha si shef i Grupit të PDK-së në parlamentin e Kosovës.
“Ky organizim është në finalizim e sipër dhe kush do të jetë pjesë e saj besoj që do ta kuptoni ditëve në vijim. Unë kam angazhim në Parlamentin e Kosovës si shef i Grupit Parlamentar me një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe dhe për emrat që do të jenë pjesë e kabinetit të qeverisjes së mirë të PDK-së, do t’i kuptoni ditëve në vijim”, tha Tahiri.
Kurse sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka sqaruar se rregullimi dhe funksionimi i kQeverisjes së Mirë është përcaktuar duke shtuar se do të ketë drejtuesit, zëvendësit dhe koordinatorët.
Tutje, Gjoshi tha se kabineti do të ketë ekspert të fushave të ndryshme pa përjashtuar njerëz që mbajnë funksione brenda partisë apo njerëz që kanë funksione edhe në Kuvendin e Kosovës.
“Rregullativa që kemi miratuar Këshilli drejtues e përcakton që kabineti i qeverisjes së mirë do të jetë i përbërë nga ekspert të fushave të ndryshme pa përjashtuar njerëz që mbajnë funksione brenda partisë apo njerëz që kanë funksione dhe në Kuvendin e Kosovës. Rregullimi i funksionimit të saj është i përcaktuar me këtë rregullore. Kjo do të funksionojë si një Qeveri brenda partisë së PDK-së, do ta ketë drejtuesin e vet, zëvendësit e saj, koordinatorët për departamentet të cilat do të themelohen dhe do ta ketë edhe numrin e caktuar të ekspertëve. Mbledhje të rregullta dy herë në muaj”, tha Gjoshi.
Sipas tij, fokusi kryesor i i këtij kabineti është ta bëjë opozitën karshi Qeverisë dhe të ofrojë ide alternative që kur të mbahen zgjedhjet e ardhshme të dalin fitues, raporton EO.
“Ky kabinet i qeverisje së mirë i ka disa detyra: e para është që ta bëjë opozitën karshi kësaj Qeverie të cilën e kemi dhe do të paraqesë ide alternative se si do të bëheshin punët më mirë dhe do të ofrojë PDK-në me qytetarët e Kosovës që do ta bindë se është alternative e duhur që nesër kur të mbahen zgjedhjet të jemi fitues të atyre zgjedhjeve, ku ato ide do t’i proklamojmë gjatë punës së kësaj Qeverie”, tha ai.
Anëtarët e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, me 28 mars kanë dhënë s dritën jeshile nisjes së themelimit të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë (KQM).
Këshilli Drejtues i PDK-së ka miratuar Rregulloren për funksionimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, që sipas statutit të PDK-së është parakusht për themelimin e KQM-së.