Qeveria gjermane dhe Komuna e Vushtrrisë mbështesin 43 biznese të vogla

Prishtinë | 29 Gus 2016 | 13:08 | Nga

Gjithsejtë 43 ndërmarrës të bizneseve të vogla dhe të mesme nga Vushtrria, sot kanë përfituar përkrahje direkte nga projekti i përbashkët i HELP-it gjerman, që është bashkë financuar me rreth 100 mijë Euro nga Qeveria gjermane dhe Komuna e Vushtrrisë.

Sekretarja e parë në ambasadën gjermane në Prishtinë, Henirette Kotter, me rastin e ceremonisë së nënshkrimit të kontratave me përfituesit, tha se Qeveria gjermane është e lumtur që ky projekt i përbashkët me komunat në përkrahje të bizneseve të vogla dhe të mesme, ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e ndërmarrjeve dhe zhvillimin ekonomik deri më tani në disa komuna, e që i tillë pritet të jetë edhe në Vushtrri.

Nga ana tjetër duke falënderuar qeverinë gjermane për mbështetjen me këtë projekt shumë të qëlluar, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, ka kërkuar nga bizneset përfituese që të punojnë që ky investim të jetë projekt i qëlluar, i qëndrueshëm dhe që pajisjet që përfitojnë nga ky donacion të përdoren për zhvillimin e ndërmarrjeve të tyre.

Ndërsa Shqipe Breznica, koordinatore e projektit të HELP-it në Kosovë, tha se në konkurrencën prej 200 aplikacioneve, komisioni ka përzgjedhur idetë më të mira. Ajo bëri të ditur se pas nënshkrimit të kontratave, HELP-i do të hap tender për blerjen e pajisjeve të kërkuara nga bizneset e më pas do të filloj edhe shpërndarje e pajisjeve, raporton Veriu.info.

Arta Haxhaj, drejtoreshë e drejtorisë për zhvillim ekonomik, bujqësi dhe zhvillim rural në Komunën e Vushtrrisë, uroj që ky të jetë vetëm fillimi i suksesit për ndërmarrjet përfituese.

Në mesin e ideve që janë përkrahur nga ky projekt kryesisht janë bizneset që merren me bujqësi, zejtari, por ka edhe shërbime këshillimore profesionale.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme