Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2017.
Hoti ka thënë se buxheti i planifikuar prej 2 miliard eurosh nuk bën të zvogëlohet.
“Qeveria e re duhet të ndërmarrë masat që të realizojë këtë buxhet, e jo ta shkurtojë atë. Ne nuk përkrahim në Kuvendin e Kosovës kurrfarë shkurtimi të shpenzimeve”, ka paralajmëruar Hoti, i cili tani është shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se me buxheti i planifikuar prej 2 miliardë eurove për vitin 2017 nuk ka qenë i mirë planifikuar dhe se me rishikim të buxhetit kjo shumë do të ulët në 1.8 miliard euro.
Sipas Qeverisë, ndryshimet e plotësimet në buxhet “ruajnë qëndrueshmërinë në pagesat e shpenzimeve dhe obligimeve kontraktuale të Republikës së Kosovës”.
Projektligji do të procedohet për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.
Por, ish-ministri i Financave ka thënë se duhet mbajtur performancën e lartë të të hyrave ashtu si ka qenë. “Duhet ndryshuar Ligjin për AKP-në për të shfrytëzuar mjetet e privatizimit për autostradë. Ligji për AKP-në duhet të vijë në Kuvend bashkë me ligjin për rishikimin e buxhetit”.
Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja e ka rregulluar me ligj rritjen e pagave dhe kjo duhet të ndodhë nga janari 2018, siç është planifikuar me Kornizën e Shpenzimeve 2017-2019 që është miratuar nga Qeveria Mustafa.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se LDK-ja e udhëheq Komisionin për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës dhe se nuk do të lejojë që “të përkeqësohet menaxhimi i buxhetit”.
Hoti ka thënë, po ashtu, se kjo qeveri tash duhet të gjejë mjete për të paguar për skandalet e Qeverisë Thaçi me pasaporta dhe me kompaninë “Axos” lidhur me PTK, si dhe kontratën e dëmshme të PTK-se me kompani private të shërbimeve telefonike.