Qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti ka krijuar mundësinë për të rekrutuar numër rekord të këshilltarëve politikë nga vetë kreu i ekzekutivit, nga zëvendëskryeministrat dhe nga ministrat. Ata mund të angazhojnë deri në 245 këshilltarë.
Këtë ia mundëson Rregullorja për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe ministrive, ndryshimet në të cilin dokument Qeveria i ka bërë këtë vikend.
Ndonëse nëpërmjet ndryshimeve numri i këshilltarëve nuk është rritur, shtimi i dikastereve qeveritare bën që të thyhet rekordi që e mbante Qeveria e Ramush Haradinajt.
Bazuar në numrin e angazhimit të këshilltarëve që lejonte Rregullorja dhe numrit të anëtarëve të kabinetit qeveritar, Qeveria pararendëse e drejtuar nga Albin Kurti e kishte mundësinë të angazhonte deri në 119 këshilltarë, ndërsa ajo Haradinaj deri në 206.
Qeveria e re përbëhet nga 20 anëtarë. Përpos kryeministrit, ajo përbëhet edhe nga 4 zëvendëskryeministra, njëri prej të cilëve drejton edhe një ministri, si dhe prej 15 ministrave.
Janë dy nene në Rregullore që flasin për numrin e këshilltarëve – nëpërmjet njërit precizohet numri i atyre politikë, kurse nëpërmjet tjetrit numri i këshilltarëve të jashtëm. Kategoria e parë realizon pagë të rregullt nga buxheti, dhe ka të drejtë në një listë shpenzimesh që i mbulohen nga buxheti i shtetit, përfshirë mëditje, shpenzime për udhëtim brenda dhe jashtë Kosovës, shpenzime akomodimi gjatë vizitave jashtë vendit, shpenzime reprezentacioni, shpenzime për dreka zyrtare, shpenzime për telefonata e të tjera. Ndërkaq këshilltarëve të jashtëm iu mbulohen vetëm shpenzimet për vizita jashtë vendit.
Bazuar në dispozitat e Rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe ministrive, kryeministri mund të emërojë deri në 15 këshilltarë politikë. Gjithashtu mund të emërojë edhe nga një këshilltar politik për secilin nga komunitetet: serb, turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptian, goran, malazez dhe kroat. Përveç tyre, kreu i Qeverisë mund të emërojë deri në 10 këshilltarë të jashtëm politikë. Kësisoj, numri i këshilltarëve që mund të rekrutojë i pari i Qeverisë është 34.