Qeveria i neglizhoi në buxhet, VV sulmon komunat që udhëhiqen nga PDK, LDK e AAK pse nuk i falën 100 euro të tatimit në pronë

Prishtinë | 10 Dhj 2023 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një postim lidhur me “100 eurot e tatimit në pronë” duke u shprehur se komunat e drejtuara nga PDK, LDK dhe AAK, nuk i falën ato.

Për partinë në pushtet “kjo është një mundësi e humbur që të gjitha këto komuna nuk shfrytëzuan mundësinë e lehtësimit të borxhit të qytetarëve në këtë fundvit përmes ligjit që parashihte faljen e tatimit në pronë deri në shumë 100 euro”.

Sipas LVV-së, nuk ka “asnjë shpjegim e arsyetim të qëndrueshëm, të bindshëm apo në favor të qytetarëve për Kuvendet Komunale që drejtohen nga shumica PDK, LDK, AAK për të mos ta zbatuar këtë mundësi që ua dha ligji i iniciuar nga Qeveria”.

Periskopi shkruan se Instituti GAP ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2024, duke i krahasuar ato me vitin 2023.

Në raport thuhet se sikur në vitin e kaluar, edhe këtë vit Qeveria gjysmën e mjeteve i ka ndarë për katër komunat që udhëhiqen nga VV.

“Nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Pjesëmarrja e buxhetit të ndarë për investime kapitale në Bruto Produktin Vendor ka një trend rënës nga viti 2017, dhe në vitet 2021 dhe 2022 ka mbetur e pandryshuar, në nivel prej 8%. Për më shumë, shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale mbetet e ulët, në nivel 60% në vitin 2022 dhe në nivel 35% deri në shtator të vitit 2023. Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë.”

Të ngjashme