Qeveria kërkon zgjatjen e masave emergjente në energji, lejohet marrja e thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut

Prishtinë | 29 Sht 2022 | 09:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, që masat emergjente që janë marrë para dy muajve të zgjaten si pasojë e krizës me energjinë elektrike, raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimin në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli ka folur për krizën me të cilën po përballen Evropa dhe Kosova si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Evropa është duke vazhduar të kalojë në një krizë energjetike edhe më të rëndë se vitin e kaluar, për shkak të luftës në Ukrainë dhe përdorimit të burimeve të energjisë si armë nga ana e presidentit rus Vladimir Putin”, deklaron Rizvanolli.

Ajo tha se në kuadër të masave emergjente, janë marrë disa vendime, ku mes tyre është shfuqizuar vendimi i vitit 2018, me të cilin ishte ndaluar dhënien e thëngjillit si formë dhurate për punëtorët e KEK-ut.

“Masat emergjente që kemi vendosur para dy muajve tani po kërkojmë që këto masa të zgjaten, duke pasur parasysh që pritet të jetë një dimër i vështirë. Është shfuqizuar vendimi i vitit 2018 për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut”, u shpreh Rizvanolli.

Pra, së paku këtë dimër do të mund të marrin thëngjill.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se ndarja e këtyre mjeteve ka shkuar direkt në llogarinë e KEDS-it, siç iu referua ai kompanisë turke.

“Mjetët 70 milionë nga cila konto janë alokuar në kontot private, pra a kanë shkuar tek kompania turke. Pyetja është se nga cilat konto kanë shkuar këto mjete, nga MZh-ja apo nga ministria e Finanacave, dhe a mundesh me konfirmuar se këto mjete kanë shkuar tek kompania turke”, pyeti Shala.

Këtë e konfirmoi Rizvanolli, se mjetet e alokura kanë shkuar në llogarinë bankare të KEDS-it.

“Kompanitë që po i referoheni si turke është e vetmja që është e licencuar. Mjetet janë ndarë me vendim të qeverisë me rekomandim të MZH në llogari të konsumatorëve dhe secili prej tyre mund ta vëreje në faturën e tyre lehtë me një qasje në aplikacion. Është e vërtetë se mjetet kanë shkuar në këtë kompani sepse është e vetmja që operon në Kosovë”, tha Rizvanolli.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se është kërkesa e katërt që Qeveria kërkon të zgjaten masat emergjente.

Për këtë, Lekaj tha se masat Ad-hoc nuk prodhojnë zgjidhje, raporton EO.

“Ajo që e dimë është se po hyjmë Janë të pamjaftueshme sepse nuk e di sa keni i formacione se qytetarët në Kosovë ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike, në çdo komunë ka probleme. Është kërkesa e katërt që ju kërkoni të vazhdohet masa emergjente dhe sa i përket këtyre masave, nuk e di se a mendoni se zgjidhjet të bëhen ad-hoc, dhe nëse ju nuk keni ndërmarr vendime, ne do të hyjmë në një krizë tjetër energjetike. Deri në 1 mijë euro është menduar dhe po flitet që të rritet MGW”, u shpreh Lekaj, teksa e pyeti edhe për raportimet në medie për riparimin gabimisht të remontit të Bllokut B2.

Por për këto raportime në medie, ministrja Rizvanolli i quajti shpifje dhe të pavërteta.

Deputeti i VV-së, Armend Muja, kërkoi që masa të ndërmerren edhe ndaj keqpërdoruesve të energjisë elektrike.

“A janë paraparë masa për personat që janë duke e keqpërdorur rrymën, pra duke e vjedhur sepse e dimë se një përqindje e madhe vidhet, dhe në rrjetin elektrike dihet prejardhja e atyre që e vjedhin këtë rrymë”, pyeti Muja.

E sa i përket keqpërdoruesve, Rizvanolli ka paralajmëruar takim me organet relevante në vend.

“Sa i përket keqpërdoruesve ne së shpejti do të mbajmë takime me organet relevante të drejtësisë në Kosovë që kjo çështje të zgjidhet një herë e mirë, pasi që vjedhja e energjisë është një barrë e madhe dhe e dëmton shtetin. Energjia nuk vidhet nga qytetarët e varfër por nga të pasurit ose ata më ‘të fortit’”, tha Rizvanolli.

Të ngjashme