Qeveria me kërkesë të ministres së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj, ka krijuar task-forcën që të merren masa për mbrojtjen nga ndotja e ajrit.
Reshitaj kërkoi mbështetjen e qeverisë për këtë task-forcë duke shtruar kërkesa edhe për ministritë e tjera, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), duhet të ndërpresë furnizimin me thëngjill të shkollave të cilat do të eliminonin ndotjen e ajrit si dhe nga Ministria e Infrastrukturës (MI) kërkoi monitorimin e lëndëve djegëse.
“Kërkoj nga ministria e Arsimit që ta ndërprejë ngrohjen me thëngjill në shkolla. Nga Ministria e Infrastrukturës që të monitorojmë përdorimin e lëndëve djegëse nga vetura, dhe gjithashtu edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që ta bëjë kontrollimin e derivateve”, tha Reshitaj.
Ajo gjithashtu ka kërkuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZh) që ta ndërpresë dhënien e thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut, dhe gjithashtu nga Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë ka kërkuar statistika shëndetësore për ndotjen.
Ndotja në Prishtinë ditëve të fundit ka arritur masa enorme, duke kaluar edhe qytete si Nju Delhi apo Kalkuta.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë thirrje te qytetarët që të lëvizin me maska mbrojtëse.