Qeveria maqedonase miraton propozimin për ndryshime të Kushtetutës

Prishtinë | 18 Kor 2023 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar tekstin e Propozimit për ndryshime dhe plotësime të Kushtetutës dhe ka vendosur që dokumenti t`i dorëzohet Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit të qeverisë, intervenimet kanë të bëjnë me shtimin e pjesëve të popujve në Preambulë.

“Respektivisht, në formulimin; “Qytetarët e RMV-së, popullit maqedonas, pjesë të popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit boshnjak e të tjerëve”, pas fjalës popullit boshnjak vendoset presje dhe shtohet: populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven, populli hebre dhe populli egjiptian”, thuhet në njoftimin e qeverisë maqedonase, shkruan Klan Macedonia, transmeton Klankosova.tv.

Siç thuhet në komunikatën e Qeverisë, propozimet për ndryshimet kushtetuese janë përgatitur nga grupi i punës të përbërë nga ekspertë, profesorë të shquar nga disa universitete të vendit si dhe përfaqësues të partive politike, me mbështetje unanime të përmbajtjes së tekstit.

Propozimi, është përpunuar në bazë të Konkluzioneve të Kuvendit të miratuar në seancën e mbajtur më 16 Korrik 2022, kurse ndërlidhen me Konkluzionet e Këshillit të BE-së dhe qëndrimit të përbashkët dhe deklaratës hyrëse të BE-së në takimin politik të Konferencës Ndërqeveritare për aderimin e RMV-së në BE.

“RMV-ja konform përcaktimit strategjik për anëtarësim fuqiplotë në BE është e vendosur t`i zbatojë obligimet e marra në kuadër të kornizës negociuese dhe negociatave aderuese RMV – BE që nisën me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare më 19 Korrik 2022”, thuhet në njoftim

Qeveria, siç thuhet në komunikatë, vlerëson se para qytetarëve dhe vendit gjendet shansi i papërsëritshëm për të konfirmuar rrugën evropiane, përshpejtimin e integrimeve evropiane dhe realizimin e qëllimit evropian deri në vitin 2030.

Qeveria, pret konstruktivitet nga të gjitha subjektet politike dhe të fokusohen për të arritur konsensusin mbipartiak gjatë miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

“Një vendim i këtillë i Kuvendit të RMV-së do të mundësojë mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me BE-në deri në Dhjetor 2023, hapjen e kapitujve në negociata, intensifikimin e reformave dhe anëtarësim të shpejtë në BE”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Qeveria ka bërë thirrje që të mbretërojë arsyeja dhe vetëdija për momentin aktual në të cilin gjendet vendi, me qëllim që të shmanget izolimi i sërishëm shumëvjeçar dhe përfundimisht t`i realizojë perspektivat evropiane.

Të ngjashme