Qeveria mban mbledhje elektronike, merren katër vendime

Prishtinë | 09 Dhj 2020 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës e ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, e cila është bërë në mënyrë elektronike.

Në këtë mbledhje janë shqyrtuar dhe janë marrë katër vendime, që të gjitha të lidhura me menaxhimin e pandemisë.

Më poshtë, të gjitha vendimet e marra nga Qeveria:

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme, është propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë për transferimin e mjeteve nga programi në kategorinë e shpenzimeve kapitale, projekti “Ndërtimi i objektit të Spitalit në Ferizaj, në shumë prej pesëqind e njëzetë e shtatë mijë e njëqind e pesëdhjetë e katër euro (527,145 ). Nga këto mjete shuma prej 477, 154 (katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e pesëdhjetë e katër euro) , do të transferohen në kategorinë e shpenzimeve kapitale në projektin “Pajisje mjekësore për Departamentin e Mikrobiologjisë dhe Laboratorët Testuese”; dhe shuma prej 50,000 (pesëdhjetë mijë euro), në kategorinë e shpenzimeve kapitale në projektin “Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve, pajisje kapitale” në programin Departamenti Shëndetësor i Burgjeve.

Në mbledhjen e sotme është miratuar nga kabineti qeveritar edhe propozimi tjetër i Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilin autorizon Ministrin e Shëndetësisë për nxjerrjen e Rregullores për kushtet e kompensimit dhe procedurat e tjera të angazhimit të përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë. Në arsyetim të vendimit thuhet se, kërkesat në rritje për angazhimin e profesionistëve shëndetësor dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19, për shkak të mbingarkesës me pacientë të infektuar me COVID-19 dhe infektimit të profesionistëve shëndetësor me COVID-19, është e domosdoshme të nxirret Rregullorja për kushtet, kompensimin, dhe procedurat tjera për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësor dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID – 19.

Vendimi tjetër i miratuar nga kabineti qeveritar aprovon kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë me të cilën autorizohet pagesa e avancit 100%, në vlerë 7.971.043.11 Euro, për furnizimin me pajisje mjekësore, të nevojshme për parandalimin dhe luftimin e COVID 19. Avanci bartet në vitin e ardhshëm fiskal dhe mbetet i hapur në një afat prej 7 muaj dhe do të mbyllet, përkatësisht arsyetohet nga Ministria e Shëndetësisë ashtu siç pranohen faturat dhe pajisjet e porositura sipas procedurave të blerjes së pajisjeve mjekësore, por jo me vonë se 30.06.2021. Vendimi i mundëson Ministrisë së Shëndetësisë që të ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për zbatimin e Marrëveshjes Ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim Lidhur me Financimin e Projektit Emergjent Covid-19 për Kosovën, që është bazuar në Marrëveshjen në mes Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës (MSH) dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS).

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për nismën e negocimit të marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim; Programi për Mbështetjen e Shëndetësisë në Kosovë, (Faza II). Gjatë negocimit të kësaj marrëveshjeje, Ministria e Shëndetësisë obligohet të procedojë konform dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe dispozitave tjera ligjore në fuqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme