Ministrja Hoxha, në mbledhjen e Qeverisë, të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka paraqitur për miratim kërkesën nga Qeveria për Presidentin e Kosovës Autorizimin për nënshkrim të marrëveshjes financiare për IPA 2017, pjesa I dhe II, raporton EkonomiaOnline.
Marrëveshja financiare për IPA 2017, pjesa e parë, është finalizuar dhe tani pritet nënshkrimi i saj.
“Kjo marrëveshje rregullon zbatimin e programit IPA 2017, pjesa e parë, që përfshin 11 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, të drejtat e njeriut, eficiencën e energjisë, ekonominë digjitale, sigurinë ushqimore si dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale. Programi konsiston në financimin me 48 milionë euro nga ana e BE-së për Kosovën, ndërsa shuma totale është 49.45 milionë euro, ku përfshihen edhe bashkëfinancimi nga ana jonë në shumën 1.45 milionë euro”, theksoi Ministrja Hoxha.
Me këtë rast, ju ftoj që të miratoni kërkesën në fjalë, dhe menjëherë pas kësaj do të finalizojmë gjithë procedurën që sa më parë të nënshkruajmë marrëveshjen dhe të zbatojmë atë, që fondet e parapara me këtë marrëveshje të fillojnë zbatimin për projektet për të cilat janë planifikuar.
Pas këtij propozimi, Ministrja Hoxha ka paraqitur kërkesën e dytë për miratimin në parim, Marrëveshjen financiare për IPA 2017, pjesa e dytë, me Bashkimin Evropian.
“Marrëveshja financiare IPA 2017, pjesa e dytë, përfshin vlerën 25 milionë euro, prej të cilave 21 milionë janë përkrahje buxhetore sektoriale, ndërsa 4 milionë janë asistencë për zbatimin e saj. Ky program jepet për fushën e menaxhimit të financave publike. Pas miratimit të nismës, Qeveria duhet të themelojë ekipin negociator që do të negociojë me BE-në për treguesit e reformave, caqet dhe vlerat numerike që duhet arritur për çdo vit, për një periudhë 3-vjeçare, 2019-2021”, ka theksuar Ministrja Hoxha.
Ky është programi i dytë i përkrahjes buxhetore sektoriale, pas atij të Marrëveshjes financiare IPA 2016, pjesa e dytë, ishte e fokusuar në reformën e administratës publike.
“Kjo marrëveshje është e rëndësisë së veçantë për Qeverinë e Kosovës në përgjithësi dhe Ministrinë e Integrimit Evropian në veçanti, sepse i hap rrugë mandatimit të ekipit që do të negociojë tekstin e kësaj marrëveshjeje”, theksoi Ministrja Hoxha.
Të dy propozimet e Ministres Hoxha, u miratuan nga Qeveria.