Qeveria e Kosovës, në një mbledhje të mbajtur të premten pasdite, ka miratuar Raportin Faktografik të Komisionit të ekspertëve për matjen e Territorit të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komisionit, Akademik Hivzi Islami, njoftoi kabinetin qeveritar lidhur me punën e bërë nga ekspertët dhe bëri të ditur se para se të mbyllet raporti përfundimtar me konstatimet përmbledhëse, ekspertët morën edhe rezultatet e debatit publik dhe më pas, në konkluzat e dërguara në Qeveri, ata kumtuan rezultatin që madhësia territoriale është 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë.
“Kur u matën të gjitha sipërfaqet e komunave administrative, u matën 38 komuna, u matën sipërfaqet e 1 mijë e 305 zonave kadastrale, që pajtoheshin zonat me kumulativin e sipërfaqes së komunave administrative. Kjo u bë një kohë të gjatë dhe u bë disa herë, minus ndryshimi që ndodhi me Planin e Ahtisaarit me Maqedoninë, doli kjo shifër që e kemi, dhe ne mendojmë që kjo shifër, sipas ekspertëve, është absolutisht e saktë, e tolerueshme me këto gabimet minimale. Prandaj, ta kemi ndërgjegjen e pastër dhe të fashiten emocionet. Kosova nuk humb asnjë metër katror. Atë që e kemi pas, e kemi. Padrejtësitë historike nuk mund t’i korrigjojmë”, tha ndër të tjera Akademik Hivzi Islami.
Në mbledhje ishin të pranishëm edhe kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu dhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari.
Ahmet Zejnullahu foli për çështjen e 614 hektarëve të pyjeve që më herët janë menaxhuar nga Agjencia Pyjore, ndërkaq nuk janë të regjistruar në regjistrat kadastral të Pejës.
Ekrem Hajdari siguroi se bazuar në shënimet kadastrale që i ka Agjencia e Privatizimit në dispozicion, shënime këto të dhëna të bazuara në shënimet kadastrale të Republikës së Kosovës, AKP mund të konfirmoj lirisht që pronat e ish ndërmarrjeve shoqërore përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi, nuk preken fare nga procesi i shënimit të vijës kufitare.
Qëndrimet e tyre në mbledhjen e Qeverisë i kanë shfaqur edhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramiz Kelmendi, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vlerësoi faktin se qëndrimet e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, vlerësimet e Komisionit Ndërkombëtarë i cili është përcaktuar nga presidentja Jahjaga, por edhe konkludimet e Komisionit Shtetëror të mëparshëm për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, përputhen në mënyrë të plotë me rezultatet faktografike të këtij Raporti.
“Kjo na jep të drejtë të jemi të sigurt se Kosova edhe për këtë gjeneratë edhe për gjeneratat e ardhshme mund të konfirmoj se nuk e ka humbur asnjë metër katror në Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi. Është fakt notor, që Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë gjithmonë e gatshme që përmes ekspertizës dhe nuk ka hezituar në asnjë moment që të punojë dhe të konstatoj gjendjen reale të kufirit tonë me Malin e Zi ashtu siç nuk do të hezitojmë në asnjë rast që këtë ta bëjmë edhe me Serbinë më vonë, në mënyrë që Kosovës të mos i cenohet asnjë metër katrorë të territorit në përcaktimin e vijave kufitare përkatësisht në shndërrimin e vijave administrative që i kemi pasur ne përpara me shtetet fqinje ose me Republikat fqinje tani në kufij ndërkombëtarë dhe të arrijmë atë që ministri i Punëve të Jashtme e tha këtu që këto konstatime dhe këto rezultate t’i depozitojmë edhe në Kombet e Bashkuara”.
“Ne kemi një përkushtim të madh edhe sot, dhe kemi argumente të plota dhe të pakontestueshme që Republika e Kosovës nuk ka humbur asnjë metër katror gjatë shënjimit të vijës kufitare dhe shpresoj se me këtë hapet një proces i ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi. Unë jam shumë i bindur se qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe ekspertët, njerëzit edhe të pozitës edhe të opozitës do të kenë arsyen që të konkludojnë mbi bazën e fakteve sepse ne nuk mund të ndryshojmë faktet dhe që vendimi i mëvonshëm do të merret mbi këtë bazë”.
“Ne, këtë raport pasi që Qeveria të deklarohet për këtë, do ta publikojmë në faqen zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do t’ia përcjellim Presidentit të Republikës së Kosovës për informim dhe njoftim, do t’ia përcjellim deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në mënyrë që çdonjëri të ketë qasje të informohet dhe të njoftohet lidhur me këto rezultate. Po ashtu, do të bëjmë përpjekje që ta prezantojmë në forma të ndryshme, përmes mjeteve të informimit, dhe kanaleve tjera edhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës në mënyrë që çdo qytetar i Republikës së Kosovës ta ketë këtë dokument dhe të ketë rezultatet e një Komisioni shumë kredibil, profesional e shkencor i cili ka punuar”.
“Unë jam i bindur se edhe ky raport do të jap rezultate pozitive në unifikimin e spektrit politik dhe apeloj që ky spektër politik të unifikohet rreth një çështje madhore dhe në interes të vendit siç është shënjimi i vijës kufitare, do të ndikoj në përparimin e perspektivës euroatlantike të vendit tonë, në fuqizimin e marrëdhënieve me SHBA-të, BE-në dhe vendet e tjera mike”, tha kryeministri.
Në fund, kryeministri Mustafa ka falënderuar Komisionin Qeveritar të Ekspertëve, akademik Hivzi Islamin dhe dy kryeshefat që prezantuan gjendjen reale që ata kanë në Agjencionet e tyre para Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Kjo gjendje është marrë në mënyrë faktografike dhe kështu është shënuar edhe në Raport dhe unë e konsideroj këtë si një kontribut të veçantë edhe të kësaj seance por edhe të Raportit Faktografik të Komisionit”, tha kryeministri Mustafa.
Qeveria pranon raportin final për Demarkacionin
Qeveria e Kosovës është mbledhur për të diskutuar në lidhje me Demarkacionin me Malin e Zi.
Pika kryesore e rendit të ditës është shqyrtimi i Raportit Faktografik të Komisionit të Ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës.
Po ashtu do të dorëzohet edhe raporti nga komisioni për matjen e territorit të Kosovës
Ky raport ka mbi 50 faqe material.
Komisioni i caktuar ditë më parë nga Qeveria për matje të territorit ka konstatuar se Kosova nuk ka humbur territor nga procesi i Demarkacionit me Malin e Zi.
Aty po marrin pjesë Hivzi Islami, kryetar i Komisionit për Matjen e Territorit, kryeshefi i AKP-së, Ekrem Hajdari, Ahmet Zejnullahu dhe Tomor Qela.