Qeveria ka aprovuar shqyrtimin e Propozimit për shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se ky projekt është nacional i cili, sipas tij, do të ndikojë në rritjen e punësimit.
Sipas Hasanit, nga ky projekt mund të hapen mijëra vende pune, raporton Ekonomia Online.
“Ky projekt është nacional sepse prek autostradën dhe ne si MTI dhe qeveri jemi duke iu dhënë prioritet bizneseve dhe kompanive. Kjo prodhon edhe efekt rritjen e punësimit, mund të jenë mijëra vende pune në këtë projekt”.
Gjatë diskutimit të kësaj pike të rendit të ditës, zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, tha se në ministrinë e tyre nuk ka arritur ndonjë kërkesë dhe se nuk e dinë koston e projektit, pasi sot kërkesa është që të shpallet vetëm zonë me interes, raporton EO.
“Në ministri s’ka arritur asnjë kërkesë dhe nuk e dimë koston. Për sigurimin e mjeteve duhet të shikohet në rishikimin e buxhetit. Ky po lyp me shpall zonë të veçantë. Zona ekonomike lyp fizibilitet. Ne ishte dashur me pasë një plan kombëtar për zonat. Duhet me themelu një komitet kombëtar për zonat. Këta kërkojnë që të shpallet vetëm zonë me interes të veçantë, pastaj procedurat e buxhetimit. Ky është vendim më shumë politik me ua hapë rrugën atyre për zhvillim”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se nuk duhet të shpallen zona të reja ekonomike derisa janë tri zona ekonomike që nuk janë zhvilluar: e Prizrenit, Gjakovës dhe Mitrovicës.
Lluka tha se nuk është kundër zonave të reja ekonomike por, sipas tij, duhet të zhvillohen këto aktualet.
“Ne i kemi edhe tri zona ekonomke, atë të Prizrenit, Gjakovës dhe Mitrovicës. Ato është dashur të zhvillohen me kohë e jo të dalim me zona shtesë pa i zhvilluar ato. Nuk jam kundër zonave ekonomike, por kemi zona që nuk janë zhvilluar”.