Qeveria në detyrë nis procedurat për ngritjen e memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në Itali

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 11:19 | Nga Gzim Mujaj

Qeveria e Kosovës në detyrë, në mbledhjen e mbajtur të premten, ka marrë vendim për nisjen e procedurave për thellimin e bashkëpunimit me komunitetet arbëreshe, përmes inicimit të procesit për ngritjen e memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në Arbëshkun Hora në Itali, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo nismë ka për qëllim ruajtjen, promovimin dhe zgjerimin e trashëgimisë kulturore, duke e cilësuar projektin si një donacion për komunitetin arbëresh në Itali.

“Në kuadër të nismave për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe komuniteteve arbëreshe, veçanërisht në ruajtjen, promovimin dhe zgjerimin e trashëgimisë kulturore, Qeveria e Kosovës inicion hapat për thellimin e këtij bashkëpunimi duke nisur procesin e ngritjes së memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në Arbëshkun Hora në Itali. Ky projekt do të jetë donacion për komunitetin arbëresh në Itali”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendësministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, tha se kjo nismë synon forcimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve arbëreshe dhe popullit të Kosovës. Ajo theksoi se lokacioni për memorialin do të sigurohet nga Bashkia Hora e Arbëreshëve dhe se për realizimin e projektit do të jetë një komisioni profesional.

“Me qëllim të fuqizimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve arbëreshe dhe popullit të Kosovës, propozoj nismën për ngritjen e memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në Arbëshkun Hora në Itali. Lokacioni do të sigurohet nga Bashkia Hora e Arbëreshëve. Me qëllim të realizimit të kësaj nisme propozohet formimi i komisionit profesional me ekspertë të fushës së artit dhe të kulturës”, tha ajo.

Të ngjashme