Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka bërë një reagim pas raportimit për skandalin financiar që implikon ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj e që është në linjë me presidenten Vjosa Osmani duke thënë se po presin prova dhe fjalën e organeve të drejtësisë.
Ai ka thënë se si qeveri janë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës por janë të interesuar për llogariedhënie mbi të vërteta të dëshmuara.
“Kërkesa për sqarime mbi të vërtetën është gjithmonë legjitime. Si qeveri ne jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës, por jemi të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime dhe akuza”, ka thënë Kryeziu.
Ai poashtu është shprehur se duhet të bëhet kujdes ndaj pretendimeve që janë mohuar nga vet ambasadori,raporton Gazeta Express.
“Ambasadori jonë në Kroaci, Martin Berishaj i ka mohuar akuzat e bëra në drejtim të tij duke paralajmëruar po ashtu edhe padi ndaj mediumit slloven që ka bërë një raportim të tillë. Duhet të jemi të kujdeshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”, ka thënë Kryeziu.